Emmanuel Macron viziton javën e ardhshme Uashingtonin

Bota April 20, 2018 - 22:31

Presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme (23-25 prill) për bisedime me homologun e tij amerikan Donald Trump në një kohë të mbushur me mosmarrëveshje transatlantike… që përfshijnë Iranin, tregtinë dhe statusin e Jeruzalemit. Vizita e zotit Macron është vizita e parë e plotë e një kreu shteti gjatë presidencës Trump – dëshmi kjo për marrëdhënien çuditërisht të ngushtë të krijuar ndërmjet të dyve. Por a mund të japë kjo vizitë rezultate të prekshme?

Pas fishekzjarreve dhe paradës ushtarake të zhvilluar për nder të presidentit Trump gjatë festimeve të Ditës së Bastijës vitin e kaluar në Paris, tani është radha e presidentit amerikan për t’i dhënë homologut të tij francez trajtimin me tapet të kuq. Në vend të një restoranti joshës në Kullën Eiffel, të dy udhëheqësit do të ulen në një pikë tjetër historike: Mount Vernon, shtëpia e presidentit të parë të Amerikës, Xhorxh Uashington.