Italia refuzon të regjistrojë fëmijën e një çifti lezbike

Bota April 19, 2018 - 18:53

Autoritetet në Torino, në Italinë veriore, kanë refuzuar të regjistrojnë foshnjën e një çifti lezbike.

Chiara Foglietta dhe Micaela Ghisleni kishin vendosur të kenë një fëmijë. Me të marrë këtë vendim Foglietta iu kishte nënshtruar fekondimit artificial në Danimarkë, ngase një trajtim i tillë iu mohohet çifteve homoseksuale në Itali, sipas ligjeve në fuqi atje.

Ajo lindi të premten e javës së kaluar fëmijën e saj Niccolo Pietro, megjithëse ligjet italiane vendosin rregulla strikte sa i përket trajtimit të fertilitetit, duke vënë trajtimin në dispozicion vetëm për çiftet heteroseksuale të martuara. Foglietta kishte refuzuar që t’i nënshtrohet këtyre rregullave për t’i dhënë jetë foshnjës së saj.

Por kur ajo kishte shkuar në zyrën e regjistrimit në Torino një zyrtar kishte kërkuar nga ajo që të tregojë me saktësi nëse lindja e djalit të saj ka ardhur si pasojë e marrëdhënieve seksuale me një burrë apo me fekondim artificial.

Këtë bisedë me zyrtarin ajo e kishte shpjeguar përmes një postimi në Facebook , ku ndër të tjerash tregon se zyrtari kishte refuzuar t’ia regjistrojë djalin asaj dhe partneres së saj Micaela Ghisleni.

“Nicoloka lindur sepse unë dhe partnerja ime kemi dashur fëmijë, ai është djali ynë”, ka shkruar ajo në Facebook. “Por për të regjistruar atë në zyrën e regjistrimeve publike unë duhet të them një gënjeshtër,” tha ajo, duke shtuar se “çdo fëmijë ka të drejtë të njohë historinë e tij ose të saj, dhe kombinimin e ngjarjeve që e krijuan atë”.

Ndryshe, shkalla e fertilitetit të Italisë është ndër më të ultat në BE.

Në vitin 2017 numri mesatar i fëmijëve për grua në Itali ishte 1.34, krahasuar me 1.46 në vitin 2010, siç raportoi agjencia kombëtare e statistikave Istat. Në 2017 kishte 183,000 vdekje më shumë se lindjet në Itali.

Franca ka legalizuar martesën e homoseksualëve dhe adoptimin nga çiftet homoseksuale, duke avanciuar për nga të drejtat e komunitetit LGBTI për dallim prej Italisë.