Kina fton BE-në: Bashkë kundër politikave të SHBA

Bota April 17, 2018 - 23:11
Lexo detajet


Në përpjekje për t’i bërë ballë masave tregtare të presidentit Trump, Kina i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të bashkohet me të në luftën kundër masave proteksioniste amerikane.

Zyrtarë të qeverisë kineze kanë zhvilluar në ditët e fundit një seri takimesh me ambasadorë të vendeve kryesore europiane, duke u kërkuar atyre që të bashkohen me Pekinin kundër politikave proteksioniste të Shteteve të Bashkuara.

Disa nga diplomatët perëndimorë që janë takuar me zëvendës ministrin e Tregtisë, Fu Zijing, e kanë komentuar qasjen e tij si shenjë të shqetësimit të Pekinit për thellimin e konfliktit me Uashingtonin.

Presidenti Donald Trump kërcënoi muajin e kaluar se do të vendosë tarifa me vlerë 150 miliardë dollarë për mallrat e importuara nga Kina, një lëvizje kjo e komentuar si ndëshkim për politikat industriale agresive të Pekinit në dëm të amerikanëve.

E teksa tensionet rriten, qeveria kineze po përpiqet të fitojë terren në sistemin e tregtisë globale, duke përfituar edhe nga shqetësimet e vendeve të Perëndimit për politikat e Trump.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, takimet e ngutura të zyrtarit kinez me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Spanjës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar tregojnë se Kina po përpiqet të ngrejë një mur për të izoluar masat agresive të Trump, të cilat, sipas diplomatëve europianë, Pekini i kishte nënvlerësuar.

Dhe për të bërë sa më joshëse ofertën e saj, Kina ka njoftuar të martën se do të heqë kufijtë për pronësinë e huaj në industrinë e automjeteve, ndërtimit të anijeve dhe avionëve. /Lajmi/