Izraeli, në emër të SHBA-së, sulmon ''kafshën Assad''

Bota April 09, 2018 - 10:51
Izraeli sulmon Sirinë

Aeroplanët ushtarakë të Izraelit kanë bombarduar bazën ajrore të regjimit sirian në lindje të qytetit Homs, raporton The Guardian, duke cituar ushtrinë ruse dhe siriane

Ushtria e Rusisë ka thënë se dy avionë ushtarakë të Izraelit kanë sulmuar nga hapësira ajrore e Libanit, ndërsa për këtë nuk janë deklaruar akoma zëdhënës së ushtrisë izraelite.

Televizioni publik i Sirisë ka raportuar për eksplodimet e zhurmshme në bazën ajrore në shkretëtirën në lindje të qytetit Homs, në orët e mëngjesit të së hënës transmeton Express.

Televizioni publik menjëherë ka raportuar se sulmi sipas të gjitha gjasave ka ardhur nga Amerika, mirëpo këtë e ka demantuar Pentagoni. 

Mediet në Liban kanë publikuar video ku shihen pamjet e avionëve ushtarakë ose raketave duke fluturuar ulët në qiellin e Sirisë. Së paku 14 veta kanë vdekur, shumica e të cilëve janë iranianë ose anëtarë të grupit të Iranit.

Dje është rritur në 78 numri i civilëve që humbën jetën si pasojë e sulmit me armë kimike të regjimit të Bashar al Asadit ndaj qarkut Duma, pika e fundit që gjendet nën kontrollin e opozitarëve në rajonin e Gutës Lindore nën rrethim.

Presidenti amerikan, Donald Trump e cilësoi Presidentin sirian Bashar al-Assad një kafshë, duke paralajmëruar se ai, bashkë me aletatët, Iranin dhe Rusinë, do ta paguante shtrenjtë.

Trump dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën premtonin një reagim të fortë dhe të koordinuar ndaj sulmit të supozuar.