Mbillen trëndafila për fëmijët e vrarë në Sarajevë

Bota April 04, 2018 - 15:02
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Banorët e Sarajevës do të mbjellin 1,601 trëndafila në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak gjatë viteve 1992-1996.

Rreth 10,000 civilë u vranë në Sarajevë gjatë rrethimit 44-mujor, kryesisht me snajperë dhe granata të hedhura nga malet përreth qytetit.

Vlerësimet e numrit të fëmijëve të vrarë ndryshojnë. Disa thonë se numri i të vdekurve është 1,601- numri që do të përfaqësojnë trëndafilat.

Mbjellja e trëndafilave do të jetë pjesë e agjendës zyrtare më 6 prill, përvjetorin e fillimit të rrethimit në vitin 1992 dhe çlirimit të Sarajevës nga pushtimi nazist më 1945.

Përveç punëtorëve të qytetit, vullnetarë, përfshirë ekologë dhe prindër, do të mbjellin lulet në katër vende të ndryshme në Sarajevë, përfshirë pranë një memoriali në qendër të qytetit për këta fëmijë në “Veliki Park”, në Rrugën “Marsala Tita”, sipas një njoftimi për shtyp nga “Arboretumi -Botanical Gardens”, organizatorët e ngjarjes.

Prindër të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit do të ndihmojnë në mirëmbajtjen e luleve pasi ato të mbillen, deklaroi “Arboretum-Botanical Gardens”.

Sarajeva tashmë është e njohur për një lloj tjetër “trëndafili” – krateret e mortajave të kuqe në vendet ku u vranë civilët gjatë rrethimit.

6 prilli për Sarajevën shënon edhe fundin e okupimit të saj nga forcat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, por gjithashtu edhe fillimin e rrethimit të vitit 1992 nga forcat e serbëve të Bosnjës.

Shoqata e prindërve të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të qytetit ka dokumentacione për 534 fëmijë të vdekur, por të dhënat e pakonfirmuara e vënë këtë numër afër 1,500. /Kallxo.com/