Tmerri në Florida, gjenden të gjithë viktimat e mbetura në gërmadhat e urës

Bota March 19, 2018 - 07:53

Policia në Florida beson se ka gjetur të gjithë trupat e viktimave nga rrënojat e një ure këmbësorësh që u shemb javën e kaluar dhe ra mbi një autostradë të ngarkuar. Pesë trupa u nxorrën nga rrënojat të shtunën.

Juan Perez, drejtor i Departamentit të Policisë së distriktit Miami-Dade tha se do të kontrollonin edhe një herë që të siguroheshin që nuk kishte mbetur askush tjetër, por se policia ishte shumë e sigurt se i kishte gjetur të gjithë.

Një viktimë tjetër vdiq në spital pas rrëzimit të urës.

Ura 14.2 milionë dollarëshe, që pritej të hapej vitin e ardhshëm, kalonte mbi tetë korsi dhe një kanal, që t’u krijonte mundësi studentëve të Universitetit Ndërkombëtar të Floridës që ta kishin më të lehtë të shkonin në kompleksin e banimit, ku shumica e tyre jetonte.

Një student u godit nga një automjet dhe vdiq vitin e kaluar ndërsa përshkonte autostradën.