Moska: Marrëdhëniet SHBA-Rusi vështirë se do të përmirësohen

Bota February 21, 2018 - 14:04

Rusia ka thënë sot se do të jetë “shumë e vështirë” për të rregulluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht janë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë.

Të dyja vendet kanë qëndrime të kundërta lidhur me krizën në Siri dhe Ukrainë, por edhe lidhur me akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Zëvndës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka akuzuar Uashingtonin për siç ka thënë ndërhyrje në çështjet e brendshme të Rusisë, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara kanë paditur 13 rusë lidhur me supozimet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

LEXO EDHE: BE vazhdon sanksionet kundër zyrtarëve rusë

“Paradoksalisht, amerikanët janë duke marrë hapa për të ndërhyrë në çështjet tona të brendshme dhe duke përkeqësuar tensionet në marrëdhëniet bilaterale, pak kohë para zgjedhjeve presidenciale” që do të mbahen më 18 mars në Rusi, i ka thënë Ryabkov agjencisë së lajmeve, Interfax.

“Pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë që pa bazë dhe pa të dhëna të akuzojnë për ndërhyrje në procesin e tyre zgjedhor”, ka thënë ai.

“Natyrisht, neve në Moskë na vjen keq për këtë gjë”, ka thënë ai duke iu referuar sanksioneve potenciale kundër 13 rusëve që janë paditur javën e kaluar në kuadër të hetimeve të qeverisë federale në SHBA.

“Do të jetë shumë e vëshirë për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në, bazuar në gjendjen momentale”, ka thënë Ryabkov.

Disa komitete kongresionale në SHBA dhe prokurori special, Robert Mueller janë duke hetuar supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe për ndonjë bashkëpunim eventual në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë.

Moska ka kundërshtuar se ka pasur ndonjë rol në këto ndërhyrje./REL