Gjendet varr masiv i afganëve të vrarë nga DEASH

Bota February 19, 2018 - 18:32

Syed Rehman, guvernatori i qarkut Kot, tha se mbi një vjet më parë gjithsej 12 persona u rrëmbyen nga militantët në Kot dhe se është gjetur një varrezë masive me nëntë trupa

Një varrezë masive e nëntë civilëve të vrarë nga terroristët e DEASH-it është gjetur në krahinën lindore Nangarhar të Afganistanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i guvernatorit të krahinës Nangarhar, Attaullah Khogyani, tha për AA se të vdekurit janë identifikuar si banorë të qarkut Kot, të cilët u rrëmbyen nga militantët mbi një vjet më parë pas përleshjeve me forcat lokale kryengritëse.

Në prill të vitit të kaluar, forcat amerikane në Afganistan (USFOR-A) hodhën mjetin shpërthyes masiv ajror GBU-43/B, të quajtur “nëna e të gjitha bombave”, në rrjetin kompleks të tuneleve dhe bazave të terroristëve të DEASH-it në Achin, duke lënë të vrarë mbi 90 prej tyre.

Këto krahina të jugut ende janë të dëmtuara nga militantët dhe janë një nga bastionet më të forta të terroristëve në vend.

Kjo nuk është hera e parë që terroristët e DEASH-it kanë rrëmbyer dhe vrarë civilë. Sipas mediave lokale, vitin e kaluar terroristët rrëmbyen mësues dhe personel të Ministrisë së Arsimit nga e njëjta krahinë dhe lëshuan video të prerjes së kokës dhe shpërthimit të të rrëmbyerve.

Syed Rehman, guvernatori i qarkut Kot, tha se mbi një vjet më parë gjithsej 12 persona u rrëmbyen nga militantët në Kot dhe se është gjetur një varrezë masive me nëntë trupa.

Varri u gjet pasi forcat e sigurisë i larguan terroristët nga zona pas një operacioni të fundit ushtarak. Kjo erdhi pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) po diskuton mbi rastet e mundshme të krimeve të luftës në Afganistan.