Tillerson: SHBA po shqyrton sanksione shtesë kundër Rusisë

Bota February 19, 2018 - 09:09

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë sanksione shtesë kundër individëve rusë, pas akuzave se administrata është vonuar në zbatimin e ligjit për forcimin e kufizimeve të imponuara ndaj Moskës.

"Kemi ndërmarrë hapa që kanë parandaluar tashmë disa shitje ushtarake ruse, si rezultat i legjislacionit", tha Tillerson.

"Po shqyrtojmë edhe individë shtesë për sanksione të mundshme", tha Tillerson për Televizionin CBS.

LEXO EDHE: Lavrov: BE-ja shpiku termin ''normalizim i plotë i raporteve'' Kosovë - Serbi

Sanksionet kanë të bëjnë me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Kongresi e ka votuar me shumicë dërrmuese Aktin për Kundërshtimin e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, i cili i forcon sanksionet ekzistuese dhe kërkon nga administrata amerikane të marrë leje nga Kongresi për heqjen e tyre.

Ligji është nënshkruar me hezitim nga presidenti Donald Trump, i cili ka bërë fushatë për lidhje më të ngrohta me Moskën. /REL/