Konferenca e Sigurisë në Mynih

Bota February 15, 2018 - 09:40

Gjatë tri ditëve, më 16-18 shkurt, Mynihu do të shndërrohet në një forum që diskutohet për krizat, konfliktet, politikat ushtarake dhe të sigurisë

Pse është e rëndësishme?

Kjo është një platformë unike e elitës ndërkombëtare për politikën e sigurisë. Pothuajse nuk ka fare vend ku aq shumë përfaqësues të qeverive dhe të ekspertëve të sigurisë, madje edhe armiq, takohen në një hapësirë kaq të vogël. Rëndësia e këtij takimi nuk është vetëm në program, transmeton "Zeri.info". Shumë e konsiderojnë mundësinë më të rëndësishme për akterët politikë për t'u takuar dhe për të biseduar jozyrtarisht nëpër korridore dhe dhoma. Konferenca zyrtare me më shumë se 30 panele dhe 120 folës përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut në krahasim me 2000 të ashtuquajturat “bilterals”, takime bilaterale, thotë kreu i konferencës, Wolfgang Ischinger.

Temat?

Si bazë për diskutim shërben një raport i kësaj konference, i cili ishte publikuar paraprakisht nën titullin “Në buzë të humnerës dhe mbrapa?”. Pyetja qendrore është pasiguria e re, duke pasur parasysh se Shtetet e Bashkuara mesa duket nuk janë më të përgatitura për ta luajtur rolin e një force udhëheqëse dhe garantuese e rendit ndërkombëtar. Në këtë përfshihet edhe çështja se sa vetë Evropa mund të kontribuojë më shumë për sigurinë e saj në një mjedis i cili është ende i karakterizuar nga tensioni me Rusinë dhe nacionalizmit në rritje.

Tema do të jetë gjithashtu në lidhje me shqetësimet rreth armëve të reja bërthamore, sidomos pasi në fillim të shkurtit Pentagoni zbuloi planet e tij për modernizimin e armëve bërthamore amerikane. Përveç kësaj, agjenda e cyber-sigurisë, lidhja në mes të ndryshimit të klimës dhe konfliktit, kryesisht me situatën në Lindjen e Mesme pas fundit të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”.

Kush vjen?

Hoteli luksoz “Bayerischer Hof” pret më shumë se 500 pjesëmarrës të rangut të lartë nga e gjithë bota. Pritet të arrijnë 21 krerë shtetesh apo qeverish, duke përfshirë kryeministrin ukrainas Petro Poroshenko, kreun e qeverisë britanike Theresa May, kryeministrin francez Edouard Philippe, presidentin e Izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministrin turk Binali Jildirim, si dhe ministrin rus të Punëve të Jashtme Sergej Lavrov, i shoqëruar nga një numër i deputetëve dhe ekspertëve, përcjell "Zëri". Kina dërgon një zëdhënëse për Komitetin e Politikës së Jashtme të Kongresit Kombëtar, Fu Ying. Nga SHBA-ja vjen ministri i Mbrojtjes Jim Mattis dhe këshilltari për sigurinë H. R. McMaster, si dhe një delegacion i madh i Kongresit amerikan, duke përfshirë më shumë se një duzinë senatorësh. Gjithashtu vijnë edhe ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite dhe të Iranit dhe do të jenë në të njëjtin podium.

Ku saktësisht mbahet?

E pazakonshme për një konferencë të kësaj madhësie dhe me kaq shumë burrështetas nga e gjithë bota, kjo konferencë po mbahet në mes të qytetit të madh të Mynihut, në një hotel luksoz, “Bayerischer Hof”.

Edhe pse nuk është i vogël, 340 dhoma, duke përfshirë 65 apartamente dhe 40 dhoma konferencash, gjatë konferencës ky hotel do të jetë në qendër të vëmendjes. Megjithatë: pjesëmarrësit e vlerësojnë intimitetin e hotelit dhe vendndodhjen në qendër të qytetit. Së bashku me 700 punëtorët e rregullt, për shkak të konferencës do të angazhohen edhe 250 persona të tjerë.

Si sigurohet konferenca?

Rreth hotelit ka hapësirë ëtë mbyllur dhe mund të lëvizin vetëm ata që janë akredituar ose që shfaqin interesa legjitime. Vitin e kaluar janë angazhuar rreth 4.000 oficerë policie dhe këtë vit, sipas policisë, shifrat do të jenë të njëjta. Krahasuar me 31.000 oficerë policie, të angazhuar për sigurinë në Samitin e G20-ës në Hamburg në muajin maj Mynihu duket i moderuar, transmeton "Zeri.info".

A priten protesta?

Do të ketë protesta si çdo vit. Vitin e kaluar “Aleanca e Veprimit kundër Konferencës së Sigurisë së NATO-s” mobilizoi më së shumti pjesëmarrës: rreth 4.000. Edhe këtë vit planifikojnë protesta dhe unazë simbolike rreth Konferencës mbi Sigurinë titulluar “Paqe në vend të armatosjes, jo luftë”.. Paralelisht me këtë konferencë zhvillohet një konferencë paqeje. Protestat e deritanishme kanë qenë të qeta dhe këtë vit pritet e njëjta gjë, tha zëdhënësi i policisë për DW-në. Sidoqoftë, mysafirët e izoluar në hotel nuk do ta vënë re ndonjë protestë.

Qëkur mbahet?

Konferenca e Mynihut mbi Sigurinë filloi në vitin 1963 si “Takimi Ndërkombëtar i Ekspertëve për Mbrojtje”. Themeluesit ishin: botuesi gjerman Ewald von Kleist, përkrahës i rezistencës kundër Adolf Hitlerit dhe fizikanti Edward Teller, transmeton "Zëri". Fizikanti ishte çifut hungarez, i cili ishte njëri nga ata që në SHBA ka zhvilluar një bombë me hidrogjen. Konferenca më vonë ndryshoi emrin e saj dhe për shumë vjet ajo shërbeu si një forum për “kundërvënie të tankeve dhe raketave”. Si një “Konferencë e Mynihut mbi Sigurinë” gjithnjë e më shumë përfshin çështjet e sigurisë globale.

Si financohet?

Konferenca është prezantuar si e pavarur. Megjithatë, fondacioni jofitimprurës “Konferenca e Mynihut mbi Sigurinë GmbH”, e cila organizon Konferencën, jashtëzakonisht ka përfituar nga subvencionet e qeverisë. Në përgjigjen e qeverisë federale gjermane për pyetjen e deputetit të partisë së majtë, Die Linke, për vitin 2015 flitej për rreth 500.000 euro për vetë projektin, plus shpenzimet shtesë prej 700.000 eurosh për shembull për anëtarët e Bundeswehrit.

Përveç kësaj, Konferenca e Sigurisë sponsorizohet nga kompani të mëdha gjermane dhe ndërkombëtare. Në tërësi Konferenca e Mynihut për Sigurinë ka një buxhet prej dy milionë eurosh në dispozicion. /ZËRI/