Debat i ashpër në partinë e Merkelit

Bota February 13, 2018 - 09:07

Pas negociatave dhe vendimit për krijimin e koalicionit të madh nuk ka qetësi as në CDU. Tani po kontestohet ndarja e posteve, madje edhe vetë kancelarja Merkel.

Në CDU “ekziston një dëshpërim i madh” lidhur me vitet e ardhshme, thotë shefi i rinisë së CDU-së Paul Ziemiak, për gazetën "Bild am Sonntag". Kancelarja Angela Merkel "duhet të tregojë guxim dhe në ministri të futen edhe zëra kritikë". Bëhet fjalë për të ardhmen e CDU-së si një parti popullore.

Ai kërkon nga kreu i partisë që në fund të shkurtit të bëhen publike para kongresit të partisë vendimet për emërimet në ministri, të cilat me marrëveshjen për koalicion do t'i takojnë CDU-së dhe CSU-së. "Emrat duhet të bëhen publik", thotë Ziemiak.

Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, CDU-ja mund të futet me një ndërgjegje të pastër në koalicion të ri me partitë e tjera.

Shumë politikanë të Unionit kanë kritikuar ndarjen e ministrive. Partia "me vetëm 20% të votave", SPD-ja, ka marrë gjashtë ministri, ndër to tri shumë të rëndësishme. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te CDU-ja.

Në veçanti humbja e Ministrisë së Financave ka shkaktuar protesta. "Kjo të dhemb shumë", thotë Jens Spahn, anëtar i kryesisë në CDU, për gazetën "Presse am Sonntag". Fakt është që pa sakrifikuar këtë ministri nuk ka pasur shanse të krijohet një koalicion me partinë SPD, por "çmimi është bukur i lartë", tha Spahn. Për CDU-në është kjo një goditje e rëndë. Ministri Peter Altmaier relativizon këtë humbje. “Natyrisht që humbja e kësaj ministrie paraqet humbje sepse ka qenë një pjesë e identitetit të saj”, thotë ai për gazetën "Welt am Sonntag".

Nga ana tjetër CDU-ja do të ketë ministrinë e Ekonomisë, që nuk e ka pasur për gati 10 vjet me radhë. Ndërsa Ministria e Financave, sipas të gjitha gjasave, do të drejtohet nga Olaf Scholz (SPD).

Lëkundja e karriges së kancelares Merkel

Krahas debatit për humbjen e posteve ministrore, kohët e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë edhe përfundimin e erës së kancelares Merkel. Deputeti i CDU-së Klaus-Peter Willsch ka kërkuar nga partia e tij që të përgatitet për kohën pas kancelares Merkel.

"Ne duhet të mendojmë që tani se si do të pozicionohemi pas kancelares", tha Willsch për gazetën "Rheinischen Post".

Edhe më konkret ishte sekretari i shtetit Spahn, i cili për gazetën "Presse am Sonntag" foli për "kohën pas kancelares Merkel". CDU-ja ka njerëz të mirë gjithandej. Konkretisht ai foli për kryeministrin e Saksonisë, Michael Kretschmer, shefin e partisë në Tyringji Mike Mohring, zëvendëskryetaren Julia Klöckner, deputetin Carsten Linnemann dhe shefin e rinisë në CDU Ziemiak.

Spahn foli për një konkurrencë të denjë për postet udhëheqëse në CDU, "kur të vijë koha". Christian Wagner i ka bërë thirrje kancelares Merkel që të japë një sinjal të qartë, sa më parë. Politikanët e përgjegjshëm mendojnë edhe për pasardhësit e tyre, por në këtë drejtim ende nuk ka asnjë sinjal. Në CDU mendohet se krerët e partisë duhet të ulen dhe të bisedojnë se si duhet evituar një katastrofë edhe më e madhe pas rezultateve të dobëta që partia ka shënuar në zgjedhjet e fundit.

Ndryshime të shpejta në SPD

Duket se krerët e partisë SPD kanë vendosur që tani që Martin Schulz të zëvendësohet sa më parë, ndoshta nga Andrea Nahles. Të martën do të mbahet një takim i kreut të partisë ku do të vendoset për "hapat e mëtejshëm që duhet të ndërmerren".

Burimet e ARD-së bëjnë të ditur se Andrea Nahles do të marrë drejtimin e përkohshëm të partisë.

"Të martën do të mbahet takimi i kryesisë, ku do të bisedohet për të ardhmen", tha sekretari i SPD-së Lars Klingbeil. ARD-ja njofton se Schulz nuk do të luajë ndonjë rol të rëndësishëm as në deklarimin e ardhshëm të SPD-së për koalicion gjatë javës së ardhshme.

Ndryshimet e shpejta në krye të partisë SPD, nga Schulz te Nahles, kanë shkaktuar habi te disa nga udhëheqësit e partisë. Nga krahu i majtë i SPD-së kërkohet tani që anëtarët e SPD-së të vendosin për pasardhësin e kryetarit Schulz. Një zgjidhje të këtillë ka mbështetur edhe ministrja e Familjes, Katarina Barley. Deputetja Hilde Mattheis thotë për gazetën "Tagesspiegel am Sonntag" se nuk është e pranueshme që posti i kryetarit të partisë të ndahet sipas dëshirës së disa personave. Zgjidhja e krerëve duhet të ndodhë në një procedurë transparente, thotë Mattheis.

Sekretari i Përgjithshëm Lars Klingbeil ka paralajmëruar krerët e partisë që t’i ndalojnë menjëherë debatet për poste në parti.

"Për postet në krye të partisë do të vendoset pas vendimit të anëtarëve për koalicion", tha Klingbeil.

"Ata që hapin një debat tjetër për postet në parti para vendimit për koalicion duhet të llogarisin me karton të kuq". Edhe zëvendëskryetari i SPD-së Ralf Stegner që ka kërkuar krerët dhe anëtarët e partisë "të përqendrohen te esenca e marrëveshjes për koalicion". /DW