Rreziku në rritje i konfliktit midis fuqive të mëdha

Bota February 12, 2018 - 09:35

Edhe pse luftërat civile dhe konfliktet fetare janë të pranishme edhe në ditët e sotme si në Siri, në Afrikën Qendrore, Afganistan dhe në Irak, një përplasje shkatërruese mes fuqive të mëdha të botës shihet ende si diçka e paimagjinueshme.

Por duket se edhe një mendimi të tillë po i vjen fundi, sepse së fundmi Pentagoni lëshoi një strategji të re mbrojtëse kombëtare, që e vendosi Kinën dhe Rusinë mbi xhihadizmin, duke e nxjerrë në plan të parë dhe duke e cilësuar si kërcënimin kryesor që i kanosej Amerikës.

Situata më alarmante është ndofta lufta në Gadishullin Korean, e cila pritet të fillojë që këtë vit. Donald Trump është zotuar se do të parandalojë Kim Jong Un, udhëheqësin e Koresë së Veriut, që të mos jetë në gjendje ta godasë Amerikën me raketa balistike, gjë që, sipas sondazheve të fundit, pritet të ndodhë në muajt e ardhshëm, për të mos thënë edhe më shpejt.

Midis shumë planeve të tjera të emergjencës, Pentagoni po shqyrton një goditje parandaluese kundër vendeve bërthamore të veriut. Pavarësisht besimit të ulët në suksesin e një lëvizjeje të tillë, ai duhet të jetë i përgatitur ta zbatojë vendimin e presidentit në rast se do ta japë një të tillë.

Megjithatë, edhe një sulm i kufizuar mund të shkaktojë luftë të gjithanshme.

Sipas llogaritjeve të bëra nga analistët, artileria e Koresë së Veriut mund ta bombardojë të gjithë Seulin, kryeqytetin e Koresë së Jugut, me 10.000 runde në minutë. Dronët, nëndetëset e mesme dhe kalimi i informacioneve nga një rrjet në tjetrin mund të jenë disa nga format për vendosjen e armëve biologjike, kimike dhe madje edhe atyre bërthamore. Dhjetëra mijë njerëz do të vdisnin, madje edhe më shumë, nëse armët bërthamore do të përdoren.

Sipas “The Economist”, perspektiva e një tmerri të tillë do të thotë se në qoftë se diplomacia dështon Koreja e Veriut duhet të kufizohet që situata të shmanget. Gjithmonë sipas argumentimit të analistëve të kësaj reviste, lufta është një mundësi e vërtetë.

Edhe nëse Kina nuk do të përfshihet në një luftë të dytë koreane, si ajo edhe Rusia po hyjnë në një luftë gjithnjë e më të ashpër për sa i përket konkurrencës me fuqitë e mëdha të Perëndimit.

Ambiciet e tyre do të rriten më shumë në rastin e një përballjeje me Korenë e Veriut. Tri dekada të njëpasnjëshme me rritje ekonomike të paparë i kanë dhënë Kinës një pasuri të atillë për t’i transformuar forcat e saj të armatosura, gjë kjo që shoqërohet normalisht edhe me ndjenjën që i është krijuar udhëheqësve të saj, se momenti i tyre ka ardhur tashmë.

Ndërsa Rusia në mënyrë paradoksale duhet të mundohet ta sigurojë veten duke qenë se tashmë ajo ka hyrë në fazën e rënies afatgjate.

Udhëheqësit e saj janë përpjekur shumë dhe janë munduar për ta rivendosur dhe për ta rifituar fuqinë e dikurshme ruse, si dhe janë të gatshëm të rrezikojnë për të provuar se meritojnë të respektohen dhe ta kenë vendin që u takon në tryezën e bisedimeve ndërmjet fuqive të mëdha.

Të dyja vendet kanë përfituar nga rendi ndërkombëtar që Amerika është përpjekur shumë për ta krijuar, për ta vendosur, për ta garantuar dhe për ta ruajtur.

Por ata i shohin shtyllat e saj, të drejtat universale të njeriut, demokracinë dhe sundimin e shtetit ligjor si një imponim që justifikon ndërhyrjet e huaja dhe kërcënon legjitimitetin e tyre, përcjell "Zëri". Ato tani janë shtete revizioniste, që duan të sfidojnë status quo-në dhe që i shohin rajonet e tyre thjesht si vende për t’u dominuar dhe ku duhet vendosur influenca e tyre. Për Kinën kjo gjë nënkupton Azinë Lindore, ndërsa për Rusinë është Evropa Lindore dhe Azia Qendrore.

As Kina dhe as Rusia nuk dëshirojnë një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me Amerikën, sepse ato janë të sigurta se do të humbasin. Por, ato po e përdorin fuqinë e tyre në rritje, në mënyra të tjera, në veçanti duke shfrytëzuar një “zonë gri”, ku agresioni dhe dhuna funksionojnë pak më poshtë nivelit që do ta rrezikonte përballjen ushtarake me Perëndimin.

Kështjella pa mure

Çfarë duhet të bëjë Amerika? Edhe pse të pasuksesshme, luftërat e George W. Bush ishin një formë shkëputjeje dhe një mbështetje në vend për rolin global të Amerikës. Barack Obama ndoqi një politikë të jashtme të kufizimit dhe e shprehte hapur skepticizmin e tij mbi vlerën e fuqisë së madhe.

Ndërsa z. Trump thotë se dëshiron ta bëjë Amerikën përsëri të madhe, por fatkeqësisht ka zgjedhur mënyrën dhe drejtimin e gabuar për ta arritur këtë gjë.

Ai po i largon haptazi organizatat multilaterale, po i trajton aleancat e ndryshme si të padëshiruara dhe admiron hapur udhëheqësit autoritarë të kundërshtarëve të Amerikës.

Është sikur z. Trump dëshiron që Amerika të heqë dorë nga mbrojtja e sistemit që ajo vetë krijoi dhe të bashkohet me Rusinë dhe me Kinën duke e rritur numrin e një fuqie tjetër revizioniste.

Amerika duhet të pranojë se ajo është përfituesja kryesore e sistemit ndërkombëtar dhe se është e vetmja fuqi me aftësinë dhe burimet për ta mbrojtur atë nga një sulm i mundshëm. Edhe diplomacia konsiderohet si njëra prej fuqive të buta, ajo është pa dyshim jetike në vendosjen e qëndrueshmërisë, por ajo duhet të mbështetet edhe nga fuqia e fortë që si Kina, ashtu edhe Rusia respektojnë.

Dhe Amerika ka një pjesë të madhe të kësaj fuqie, por ajo po humbet shumë pikë në drejtim të teknologjisë ushtarake, e cila frymëzoi aleatët, si dhe frikësoi armiqtë e saj.

Që diplomacia e saj të jetë sa më efikase Amerika duhet të investojë në sisteme të reja të bazuara në robotikë, në Inteligjencën Artificiale dhe në armë të drejtuara me energji.