Arrihet marrëveshja e koalicionit në Gjermani

Bota February 08, 2018 - 08:38

Debatet ishin të zgjatura e nuk mjaftuan ditët, por u deshën edhe netët së fundmi që të arrihej kompromisi mes partisë CDU, CSU dhe partisë Socialdemokrate. Më në fund, të mërkurën bëhet i ditur kompromisi për një rund të ri koalicioni me bazë të gjerë mes konservatorëve dhe socialdemokratëve.

Temat kryesore që kishin ngecur në fund para përfundimit të marrëveshjes ishin mënjanimi i trajtimit mjekësor me “dy klasa”, siç thuhej shpesh nga Socialdemokratët dhe moszgjatja pa fund e kontratave të punës të kufizuara në kohë.

Ndërkohë, medie të ndryshme njoftojnë se Socialdemokratët do t’i marrin tri poste të rëndësishme ministrore, atë të Ministrisë së Jashtme, të Ministrinë e Financave, që deri më tani e kanë drejtuar konservatorët dhe atë të Punës. Ndërsa kristiansocialët do të marrin Ministrinë e Brendshme, ku ministër pritet të bëhet kreu i partisë, Horst Seehofer. konservatorët e CDU-së do ta marrin përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe të Mbrojtjes. Megjithatë, para krijimit të qeverisë pritet vota e bazës socialdemokrate, që nuk është shumë entuziaste për një koalicion të ri me CDU e CSU-në.

Merkel kryetarja e qeverisë në detyrë, por edhe sa kohë?

I ka ardhur fundi kancelares? Angela Merkel aktualisht vetëm si shefe ekzekutuese në post ka humbur mbështetësit. Këtë tregojnë shifrat e fundit të sondazheve për kancelaren gjermane dhe për partinë e saj. Që prej zgjedhjeve parlamentare të shtatorit mbështetja për punën politike të Merkelit ka rënë vazhdimisht. Sot 51 për qind e gjermanëve mendojnë se është në rregull që ajo të bëhet edhe një herë kancelare. 46 për qind nuk mendojnë mirë ose mendojnë madje keq që Merkeli të bëhet sërish kancelare.

Kryetarja e partisë dhe aktualisht kancelare në drejtim do ta ketë të fundit këtë legjislacion të katërt të mbajtjes së postit si kancelare. Asaj iu desh kohë që para zgjedhjeve parlamentare të luftonte për ta arritur kandidimin për herë të katërt. Dhe nuk është vetëm opozita që kërkon diçka të re. Shumë vetë në partinë e saj luftojnë që Merkeli të shkojë më mirë herët se vonë, megjithëse kritikët e thonë këtë me kujdes.

Sidomos krahu i djathtë i partisë nuk ia fal Merkelit që e ka kthyer Partinë Kristiandemokrate dikur konservatore me drejtim liberal-socialdemokrat. Prej kohësh konservatorët kanë mbledhur kritika, por vetëm disa i thonë ato hapur duke menduar t' i japin fund erës së Merkelit. Për shembull, kryeministri i vendit Schleswig-Holstein, Daniel Günther, tha së fundi: “Në krijimin e qeverisë duhet të luajnë rol edhe figurat që kanë të ardhme edhe për periudhën e pas-Angela Merkelit”.

Qëkur Angela Merkel, duke qenë kancelare, hapi në vjeshtë të vitit 2015 kufijtë gjermanë për refugjatët, shoqëria dhe partitë e unionit janë të përçarë. Ndërkohë që votuesit e Partisë së Gjelbër e lëvdojnë kancelaren për vendimin e saj, shumë kritikë ka nga radhët e partisë së saj. Edhe në fushatën e zgjedhjeve kjo temë luajti një rol të madh.

Rënia e Merkelit ka filluar që para zgjedhjeve

Rënia ka filluar kohë para zgjedhjeve. Motoja e Merkelit në fushatën zgjedhore 2017 ishte: “Për një Gjermani në të cilën duam të jetojmë dhe jetojmë mirë”.  Kështu shkruhej edhe në pllakata. Shpërblimi për këtë qasje pa ngjyrë u mor më 24 shtator me një rezultat katastrofik për partitë e unionit në zgjedhjet parlamentare. Bashkë me partinë simotër Partinë Socialkristiane, Partia Kristiandemokrate mori vetëm 33 për qind të votave. Më keq se kaq Unioni ka pas marrë vetëm në zgjedhjet para 1949-ës.

Kancelarja nuk donte të pranonte asnjë gabim dhe u mundua fillimisht të krijonte një koalicion të ashtuquajtur “Xhamajka”, një aleancë qeveritare të përbërë nga kristiandemokratët dhe kristiansocialët me të Gjelbërit dhe me Liberalët, FDP. Merkeli e nxiste këtë projekt e donte të krijonte Xhamajkën, por partnerët potencialë nga Liberalët nuk e besuan vërtet. Mbas shumë javë bisedimesh liberalët e Christian Lindnerit u larguan nga bisedimet e koalicionit. Ky ishte dështim edhe për Angela Merkelin. Kryetarja e kristiandemokratëve nuk arriti t'i jepte projektit të saj një ide, një slogan, një kohezion.

Slogani mungon edhe në rundin e dytë të bisedimeve për krijimin e qeverisë nën patronazhin e Merkelit: sërish një koalicion i madh me socialdemokratët. Nëse dështon operacioni “GroKo3”, atëherë kohës si kancelare i ka ardhur fundi. Me qartësi të madhe Angela Merkel foli pas zgjedhjeve kundër një qeverie të pakicës, sepse ky model nuk është i përshtatshëm për Gjermaninë. Një qasje që vjen prej dembelizmit, tha opozita. Dhe që Merkel të jetë kandidate për kancelare edhe nëse ka zgjedhje të reja nuk është rënë dakord përfundimisht.

Fundi i kancelares? Angela Merkel është e fortë dhe taktike e pushtetit që nuk e çon deri në fund diçka, por që di si ta shpëtojë veten. Dhe sondazhet e fundit mund të lexohen në këtë mënyrë: Gati 90 për qind e zgjedhësve në partitë e Unionit duan që Angela Merkel të kandidojë sërish për kancelare nëse ka zgjedhje të reja. /DW