Koalicioni i madh në ''duart'' e anëtarëve të SPD-së?

Bota February 05, 2018 - 08:43

Pak pas bashkimit të Gjermanisë SPD-ja numëronte rreth 1 milion anëtarë. Ndërkohë, vetëm 440.000 vetë janë anëtarë të Partisë Socialdemokrate.

Pa miratimin e anëtarëve nuk do të ketë koalicion të madh me konservatorët, thonë krerët e partisë. Kjo do të thotë që 440.000 anëtarët e saj do të marrin një letër nga posta së shpejti, marrëveshjen e koalicionit. Shumë do të lexojnë me vëmendje e do të pyesin: A mund të kuptohet toni socialdemokrat në këtë marrëveshje?

Baza vendos

Ashtu si para katër vjetësh ishin socialdemokratët që e thanë fjalën e fundit për një koalicion me CDU e CSU-në. Ata votojnë me letër me “Po” ose për “Jo”. Kundërshtarët e koalicionit kanë bërë thirrje për anëtarësime të reja që të pengojnë një aleancë të tillë. Vërtet pas kongresit të jashtëzakonshëm SPD-ja shënon rritje të anëtarësimeve, por nuk dihet nëse anëtarët e rinj janë pro ose kundër koalicionit.

Votim me rreziqe

Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, kur 76% e anëtarëve socialdemokratë ishin pro një qeverie të re, kësaj here anëtarët e partisë mund të bëjnë që të bjerë koalicioni me bazë të gjerë.

Shumë socialdemokratë nuk shohin se po përmbushen kërkesa të rëndësishme të partisë së tyre. Po ashtu ata ende nuk e pranojnë kthesën që bëri Martin Schulz pas dështimit të negociatave për koalicionin “Xhamajka”. Nëse në fillim ai e pa vendin e SPD-së vetëm në opozitë, tani Schulz po e çon SPD-në rishtazi në një koalicion të madh si partneri më i vogël. E kjo megjithëse SPD-ja nën qeverisjen e Merkelit është dëmtuar gjithnjë e më shumë, miratimi për Martin Schulzin brenda partisë ka rënë dukshëm.

Frika nga rënia

Janë anëtarët e organizatës rinore socialdemokrate që bëjnë thirrje për “Jo”. Ata nuk duan më “politikë të emëruesit më të vogël të përbashkët”. “Demokracia jeton nga përplasja e kampeve të ndryshme, por ky ballafaqim nuk zhvillohet dot në një koalicion të madh”, argumenton zëri më i fuqishëm i kundërshtarëve të koalicionit të madh, Kevin Kühnert.

Por çfarë ndodh nëse anëtarët e SPD-së votojnë kundër koalicionit të madh? “Atëherë ka zgjedhje të reja”, thuhet shpesh. Por kaq e thjeshtë nuk është. As Bundestagu nuk e shpërbën dot veten e as Merkel apo Schulz nuk i shpallin zgjedhjet e reja. Kushtetuta gjermane parashikon stabilitetin e jo zgjedhje të shpeshta të reja. Cilët janë hapat e mundshëm? Në rast të tillë e ka radhën presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ai mund ta propozojë një kandidate apo një kandidat për kancelar. Para se të thirret të votojë populli duhet që përfaqësuesit e tij në parlament të mblidhen për ta zgjedhur një kancelare apo një kancelar të ri. Nëse ajo apo ai vijnë nga qeveria pakicë apo shumicë kjo nuk është parësore. Nga një zgjedhje e tillë varen të gjitha zhvillimet e tjera.

Hapi i parë: Zgjedhja e kancelarit?

Presidenti Frank-Walter Steinmeier do t'ia propozojë pra Bundestagut kandidatin për kancelare ose kancelar. Edhe nëse dështojnë negociatat e koalicionit të madh, me shumë gjasë kandidatja do të jetë Angela Merkel. Ajo është kryetare e partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhje. Për zgjedhjen e saj ajo ka nevojë për 709 vota deputetësh, shumicën. Deri më tani të gjithë kancelarët gjermanë, edhe Merkel, janë zgjedhur në rundin e parë.

Në këtë rast ka gjasa të kemi ndryshime. Pas dy përpjekjeve të dështuara për koalicione Merkel me gjasë do ta humbiste shumicën. Pas kësaj, sipas kushtetutës, ka një afat prej 14 ditësh. Në këtë kohë Bundestagu mbi bazën e propozimeve të veta do të mundë të propozojë një kancelare apo një kancelar. Edhe këtu kërkohet shumica absolute. Nëse kjo nuk arrihet duhet të zhvillohet “pa vonesë një votim i ri”, parashikon neni 63 i kushtetutës që ul barrierën, në zgjedhjen finale mjafton një shumicë e thjeshtë e votave.

Qeveri pakice apo zgjedhje të reja?

Sërish vjen radha e presidentit gjerman. Ai duhet të vendosë nëse do ta emërojë si kancelar kandidatin e zgjedhur që duhet të kërkonte gjithmonë në parlament shumica që variojnë. Por ai ka edhe një alternativë: Shpërbërjen e Bundestagut dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja brenda 60 ditësh.

Krerët e SPD-së ende nuk flasin për zgjedhje të reja kur AfD-ja ka rrezik që ta parakalojë këtë parti. Më shumë ajo do të bëjë një tur për t’i bindur anëtarët për miratimin e marrëveshjes së koalicionit dhe nuk do ta bëjë të ditur se cilat poste do t’i zënë krerët e saj në kabinetin e ri. Për Martin Schulzin flitet për postin e ministrit të Jashtëm në një kabinet të ri. Edhe kjo mund ta forcojë kampin e kundërshtarëve të koalicionit mes socialdemokratëve. /DW