Vuçiq: Kompani të reja turke do të investojnë në Serbi

Bota January 29, 2018 - 19:20

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, është takuar gjatë ditës së sotme me presidentin turk, Tayip Erdogan.

“Për Serbinë marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme, turistët më të shumtë në Serbi vijnë nga Turqia dhe ky është një fakt shumë i rëndësishëm, që do të vazhdojë edhe në të ardhmen”,   tha Vuçiq pas këtij takimi.

Ai shtoi se ka marrë mbështetjen e presidentit turk për investimet dhe hapjen e fabrikave të reja në Serbi.

“Kur ai thotë se një shtet është miqësor, atëherë kjo nënkupton një ambient të sigurt dhe premtues për të gjithë ata që duajnë të investojnë”, shtoi Vuçiq.

Vuçiq deklaroi se bashkëpunimi mes dy shteteve do të rritet edhe në të ardhmen dhe sipas tij raportet mes këtyre dy vendeve janë shumë të mira.

“Kompani të reja turke do të vijnë në Serbi, ne kemi arritur që të pajtohemi në zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, raportet me shtetin turk janë shumë të mira”, përfundoi Vuçiq.