Merkel: Keni kujdes populizmin helmues!

Bota January 25, 2018 - 09:08

Kancelarja e Gjermanisë u tha delegatëve në Forumin Ekonomik Botëror në Davos se rritja e partive populiste të krahut të djathtë në Evropë ishte “helmuese” dhe se politikat nacionaliste rrezikonin t’i thyenin lidhjet ndërkombëtare.

Merkel tha se shpresonte që mbështetja për partitë e tilla nuk do të rritej më tej dhe se qeveria e saj po bënte gjithçka që mund ta merrte valën populiste “nën kontroll”.

Alternativa ekstremiste për Gjermaninë (AfD) fitoi vende në Bundestagun gjerman për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, ndërsa partitë e ngjashme populiste arritën gjithashtu përfitime të mëdha elektorale në vitin 2017 në vende si Franca dhe Holanda.

Duke u ndalur në rritjen e mbështetjes së krahut të djathtë në vendin e saj, Merkel tha se gjermanët fillimisht u tërhoqën në të djathtë gjatë krizës financiare greke, kur Gjermania po paguante një pjesë të konsiderueshme të fondeve të ndihmës në Athinë dhe përsëri në vitin 2015, kur një milion emigrantë ikën nga rajonet e përfshira nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, raporton DW, transmeton "Zeri.info".

Merkel paralajmëroi gjithashtu delegatët se “proteksionizmi nuk është zgjidhja” ndaj problemeve të botës në atë që ishte një qortim i fshehtë kundër presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili do të mbërrijë në Davos të enjten.

“Ne mendojmë se mbyllja jonë, izolimi ynë, nuk do të na çojë në një të ardhme të mirë”, tha Merkel në fjalimin e saj. Vendet që ankohen për politikat tregtare të padrejta duhet të kërkojnë zgjidhje multilaterale sesa zgjidhje të njëanshme, shtoi ajo.

Për një politikë të jashtme më të fortë të BE-së

Merkel gjithashtu u bëri thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që ta krijojnë një politikë të jashtme më të fortë dhe më të bashkuar. BE-ja, tha ajo, ishte shumë hezituese përballë kërcënimeve nga i ashtuquajturi “Shteti Islamik”, lufta në Siri dhe konfliktet në Afrikë, përcjell "Zëri".

“Duhet të marrim më shumë përgjegjësi, ne duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”, tha kancelarja, duke shtuar se tërheqja e ardhshme e Britanisë nga BE-ja kishte përforcuar nevojën që 27 vendet e tjera anëtare të flasin me një zë në faza globale.

Në lidhje me Brexitin, Merkel tha se “i vjen keq” për vendimin e Britanisë për të lënë bllokun, por megjithatë shpreson të mbajë lidhje të ngushta me Londrën.

“Ne jemi në dispozicion për çdo formë partneriteti”, tha ajo, por theksoi se qasja në tregun e përbashkët të BE-së gjithmonë do të lidhej me lirinë e lëvizjes. “Ne nuk mund të bëjmë asnjë kompromis atje”, tha ajo.

Një temë e rëndësishme e fjalimit të zonjës Merkel ishte interneti dhe mediet sociale, të cilat ajo i lidhi me vetë demokracinë e shëndetshme. “Të dhënat do të jenë lënda e parë e shekullit 21, pyetja është se “kush i zotëron ato të dhëna” do të vendosë nëse demokracia, modeli pjesëmarrës shoqëror dhe prosperiteti ekonomik mund të kombinohen”, tha ajo.

Konteksti këtu është se Gjermania ka miratuar shumë ligje më të rrepta të medieve sociale sesa ekzistojnë në vendet e tjera, me gjoba për firmat që nuk i heqin me shpejtësi postet “pa dyshim të paligjshme”. 

Duke përfituar nga mundësia për të folur drejtpërsëdrejti me disa udhëheqës të teknologjisë së Luginës së Silikonit të pranishëm në Davos, ajo tha: “Edhe ju jetoni para kushteve që nuk i keni krijuar ... Na ndihmoni ta krijojmë mjedisin që është i favorshëm për prosperitet në të ardhmen”.

Kritika nga liderët e Italisë dhe të Greqisë

Gjatë ditës së mërkurë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos liderët e Italisë dhe të Greqisë kanë kritikuar ashpër vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për mungesën e solidaritetit të tyre ndaj krizës së migracionit, duke paralajmëruar se do të mbahet qëndrim ndaj tyre në negociatat e ardhshme buxhetore të Bashkimit Evropian.

“Negociatat përbëjnë një detyrë shumë të vështirë për ne, veçanërisht kontribuuesit më të mëdhenj në BE, lidhur me mungesën e një solidariteti dhe një bashkëpunimi të sinqertë nga të gjitha vendet mbi çështjet e përbashkëta”, deklaroi kryeministri Paolo Gentiloni.

“Greqia dhe Italia janë përpjekur shumë për t’i bindur partnerët tanë në Bashkimin Evropian lidhur me nevojën për ta trajtuar çështjen e migrimit si një problem jo vetëm në Evropën mesdhetare  por ndërkombëtarisht”, deklaroi kryeministri grek Aleksis Cipras.

Italia dhe Greqia janë dy vende që mbartin peshën kryesore të migrantëve në Evropë, që kalojnë përmes Mesdheut, ato kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre ndaj refuzimit të Grupit të Vishegradit (V4), aleanca kulturore dhe politike e katër kombeve të Evropës Qendrore, që përfshin Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë për t’i zbatuar politikat e BE-së mbi ndarjen e barrës së migracionit .

Gjithashtu gjatë një fjalimi në Davos kreu i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), William Lacy Swing, e krahasoi mungesën e unitetit të vendeve të BE-së për migrimin me një lokomotivë që ngjasonte me karrocat, rrotat e të cilave ishin duke u shkëputur nga rruga. /ZËRI/