SHBA: Imponohen sanksione të reja kundër Koresë Veriore

Bota January 24, 2018 - 22:40

Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione të reja kundër rrjeteve financiare dhe biznesore të Koresë Veriore në Kinë dhe Rusi, për të cilat është thëmë se e mbështesin regjimin në Phenian dhe programin atomik të këtij vendi.

Në listën e publikuar sot nga Departamenti amerikan i thesarit, përfshihen 10 përfaqësues të kompanive dhe bankave të Koresë Veriore, kryesisht me seli në Kinë dhe Rusi, pesë kompani transportuese verikoreane dhe gjashtë anije specifike si dhe dy firma tregtare kineze.

Amerikanëve u ndalohet të bëjnë marrëveshje me këto entitete.
Shtetet e Bashkuara, po ashtu, dëshirojnë që ato të dëbohen nga vendet ku i kanë selitë.
“Thesari vazhdon që sistematikisht t’i marrë në shënjestër individët dhe entitetet që e financojnë regjimin e Kim Jong Unit dhe programet e tij të armatimit, përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë në skemat e anashkalimit të sanksioneve për Korenë Veriore”, thuhet në deklaratën e sekretarit amerikan të thesarit, Steve Mnuchin.