Gjykata hedh poshtë kërkesën për arrestimin e Puigdemontit

Bota January 22, 2018 - 23:30

Refuzohet kërkesa e Prokurorisë spanjolle.

Gjykata Supreme e Spanjës ka refuzuar sot kërkesën e Prokurorit shtetëror që të aktivizohet sërish urdhri evropian për arrestimin e ish-udhëheqësit të Katalonisë, Carles Puigdemont.

Vendimi për të aktivizuar sërish kërkesën për arrestim është pezulluar, përderisa Parlamenti i Katalonisë të mos i rikthehet sërish aktiviteteve normale, u theksua në komunikatën e Gjykatës.

Më herët, përkundër kërkesës së prokurorisë së Spanjës, Presidenti i Parlamentit të Katalonisë, Rozhe Torent, propozoi sot Puigdemont si kandidat të vetëm për formimin e Qeverisë së rajonit, edhe pse ai ka statusin e të arratisurit nga drejtësia spanjolle.

Për emërimin e Puxhemontit Parlamenti i Katalonisë do të votoi në fund të këtij muaji. Puigdemont udhëtoi sot për në Danimarkë, përkundër rrezikut se mund të arrestohet.

Udhëheqësi i Katalonisë, i cili u strehua në Bruksel, për t’iu shmangur arrestimit nga ana e autoriteteve spanjolle, për shkak të përpjekjeve për të shkëputur Kataloninë nga Spanja, në Danimarkë është paraparë të merr pjesë në debatin me temën “Katalonia dhe Evropa në udhëkryq për demokraci”.