Mogherini shumë e shqetësuar nga ofensiva turke në kufirin sirian

Bota January 22, 2018 - 23:28

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u shpreh sot shumë e shqetësuar për operacionin ushtarak të ndërmarrë nga ushtria turke në veri të Sirisë.

“Jam shumë e shqetësuar”, deklaroi Mogherini në një konferencë shtypi duke shtuar se do të kërkonte takim për të diskutuar me ministrin turk për Çështjet Evropiane, Omer Celik, pritur këtë javë në Bruksel.

“Ne duhet të sigurohemi që aksesi humanitar të jetë i garantuar dhe që popullsia të mos vuajë nga aktivitetet ushtarake në terren”, nënvizoi ajo duke kërkuar që çdo aktivitet ushtarak të jetë i fokusuar kundër Shtetit Islamik, përcjell Atsh.

“Dhe ajo që më shqetëson dhe na shqetëson shumë (…), është që aktivitetet ushtarake të palëve të tjera në Siri mund të cënojnë rëndë rifillimin e negociatave për paqe në Gjenevë mes opozitës dhe regjimit të Bachar al-Assad”, shtoi Mogherini.