Macron: Do të isha i lumtur nëse Britania vendos rikthimin në BE

Bota January 20, 2018 - 18:46

“Një marrëveshje për Brexit është e mundur vetëm nëse përputhet me tregun e përbashkët të Bashkimit Europian.” Kështu deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë për BBC me Andrew Marr, e cila do të transmetohet ditën e diele.

Për gazetarin skocez, Macron u shpreh se Mbretëria e Bashkuar duhet të arrijë marrëveshje të cilat nuk vendosin në rrezik funksionimin e tregut të përbashkët, siç janë akordet e arritura mes bllokut europian dhe Kanadasë ose Norvegjisë.

Presidenti francez shtoi se shërbimet financiare britanike mund të ruajnë aksesin në tregun e përbashkët europian, vetëm duke respektuar parakushtet e domosdoshme.

Më herët gjatë javës, Macron vizitoi Britaninë, ku ai u takua edhe me kryeministren Theresa May, transmeton oranews.

Gjatë qëndrimit të tij, ai ripërsëriti lidhjet e miqësisë mes dy vendeve, ndërkohë që paralajmëroi May se Britania duhet të paguajë pjesën që i takon në buxhetin e Bashkimit Europian nëse dëshiron të ketë akses të vazhdueshëm në tregun e përbashkët edhe pas finalizimit të Brexit.

Sa i përket referendumit të mbajtur në vitin 2016 për largimin e Britanisë nga blloku europian, Macron u shpreh se votimi ishte një gabim.

“Do të ishte kënaqësi të na bashkoheshit sërish,” deklaroi presidenti francez.