A mundet Evropa të shpëtojë procesin e paqes në Lindjen e Mesme?

Bota January 19, 2018 - 08:18

Në mungesë të një lidershipi të besueshëm amerikan në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara Evropiane, duhet të ndërhyjnë për të shpëtuar shpresën e vetme për paqen në rajon:zgjidhjen me dy shtete, transmeton Zeri.

Njohja tronditëse dhe e njëanshme e Qytetit të Shenjtë të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka larguar praktikisht Uashingtonin nga pozita e tij e mbajtur prej një kohe të gjatë, e krijuesit të paqes në Lindjen e Mesme. Me veprimin e tij, presidenti Trump thjesht e ka komprometuar rolin e vendit të tij si ndërmjetës midis palestinezëve dhe izraelitëve. Në këtë proces, ai ka dëmtuar gjithashtu pozitën e vendit të tij në të gjithë botën arabe dhe myslimane. Tani është koha e duhur për Evropën që të veprojë dhe të shfrytëzojë momentin e krijuar nga mungesa e SHBA-së, në procesin e paqes në Lindjen e Mesme (siç ne e njohim atë), që nga nënshkrimi i “Marrëveshjes së Oslos” në vitin 1993 në Uashington, midis Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe qeverisë së Izraelit, transmeton Zeri.

Këto marrëveshje, e lanë qëllimisht çështjen e statusit të Jerusalemit për t’u zgjidhur vetëm në një marrëveshje përfundimtare ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Deklarata e papritur dhe e rrezikshme e Trump mbi Jerusalemin, bart sfida serioze dhe të pashembullta për palët e interesuara – dhe gjithashtu edhe për BE-në. Megjithatë, Bashkimi Evropian mund të luajë me vendosmëri, rolin më të nevojshëm në rrethanat aktuale, për shpëtimin e zgjidhjes me dy shtete, që mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare. Vendet e saj kryesore, duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Britaninë dhe Italinë, po përballen me shumë rreziqe. Nëse Evropa vendos të mos ndërhyjë në këtë fazë kritike historike, ajo do të jetë e humbur – pasi destabilizimi i rajonit do të vazhdojë. Kohët e fundit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, u kundërshtua fuqishëm në një takim me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel (kur ai i bëri thirrje atyre të ndiqnin shembullin e Donald Trump në Jerusalem). Kundërshtimet erdhën nga i gjithë spektri evropian, duke përfshirë, çuditërisht edhe Republikën Çeke, një nga aleatët më të ngushtë të Izraelit. Netanjahu ndërmori udhëtimin e parë zyrtar në 22 vjet në BE për një kryeministër izraelit. Ministrat e jashtëm të BE-së, ishin unanimë në marrëveshjen e tyre, duke kritikuar veprimin e presidentit amerikan si “të keq për përpjekjet paqësore”. E gjithë bashkësia ndërkombëtare, përveç SHBA-së, është bashkuar qartazi në një zë, duke thënë se njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit, është një goditje vdekjeprurëse shpresës për të ringjallur çdo bisedim kuptimplotë mes palestinezëve dhe Izraelit. Njoftimi i Trump, synon jo vetëm t’i japë fund shpresave dhe kërkesave palestineze për Jerusalemin Lindor si kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm të pavarur, por hapjen e dyerve për aktet e rritura të dhunës. Natyrisht, koalicioni qeverisës i qeverisë më të djathtë në historinë e Izraelit, është jashtëzakonisht i ngazëllyer nga deklarata e Trump. Në fakt, qeveritë e njëpasnjëshme izraelite, që nga pushtimi i Jerusalemit Lindor (në vitin 1967) gjatë Luftës Gjashtë Ditore, e kanë pretenduar ilegalisht tërë qytetin e Jerusalemit, si kryeqytetin e tyre “të përjetshëm dhe
të pandarë”. Prandaj, njoftimi i presidencës amerikane, ka ardhur si një shpërblim për pushtimin më të egër në historinë e kohëve të fundit. E panevojshme të thuhet se rreth 400 mijë kolonët hebrenj, e festuan lëvizjen e Shteteve të Bashkuara si një “njohje të realitetit”. Megjithatë, shumë kohë përpara deklaratës katastrofike të Trump, politika e ekspansioniste izraelite në territoret e pushtuara, ka gërryer vazhdimisht bazën politike, ekonomike dhe gjeografike për një zgjidhje me dy shtete. Ndërtimi i shpejtë i kolonisë në tokën palestineze, ka penguar kryesisht përpjekjet më të mëdha evropiane dhe ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje paqeje. Prandaj, lëvizjet e Trump kërcënojnë seriozisht çdo gjë që ka mbetur nga shpresa, për të ecur përpara drejt një marrëveshje kuptimplotë. Në fakt, veprimi më i fundit amerikan e largon administratën Trump nga opsioni me dy shtete, dhe i shtyn frikshëm palët drejt një realiteti krejtësisht të ri:një zgjidhje një-shtetërore. Dhe ecja drejt kësaj rruge, do t’i jepte fund procesit të paqes. Realitet i një shteti të vetëm, do të nënkuptonte përfundimisht krijimin e një shteti të stilit aparteid, si shteti i vjetër afrikano-jugor i të drejtave të pabarabarta, në të cilat palestinezët do të mbeten nën një pushtim të pafund, transmeton Zeri.

Bashkimi Evropian, është thellësisht i shqetësuar nga politika e jashtme e Trump, dhe ndërlikimet e saj serioze në sistemin e vlerave, të cilat qeverisin marrëdhëniet përgjatë Atlantikut që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Postimet e përditshme në Twitter nga Trump, janë bërë tejet shqetësuese.

Institucionet e ndryshme të medias, komunitetet e biznesit, zyrtarët e qeverive dhe shoqëritë civile në BE, janë vazhdimisht të alarmuara për rrjedhën e pandërprerë të tweets (ndonjëherë të pamatura) që vijnë nga Shtëpia e Bardhë. Evropa duket se është vërtet e hutuar dhe thellësisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit në Uashington. Për pothuajse shtatë dekada, vendet e BE-së, kanë punuar ngushtë me SHBA-në, por duket se ky raport tani po zhduket pothuajse në çdo fushë kyçe të politikës së jashtme, duke përfshirë çështjen palestineze, armët bërthamore dhe ndryshimet klimatike. Lind pyetja: Me Trumpin plotësisht të rreshtuar në njërën anë me politikën e Netanjahut, a është e gatshme Evropa të mbushë boshllëkun dhe të drejtojë procesin e paqen në konfliktin botëror të profilit më të lartë?/ZERI.