Trump përzë nga zyra gazetarin e CNN

Bota January 17, 2018 - 09:48

Presidenti amerikan Donald Trump ka dëbuar nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë reporterin e CNN, Jim Acosta, kanë bërë të ditur mediat amerikane, transmeton Gazeta Metro.

Të martën, gjatë një konference për media u përplas me korrespondentin e CNN nga Shtëpia e Bardhë, pasi Acosta këmbëngulte në pyetjet që kishin të bënin me deklaratat raciste të Trump ndaj shteteve të varfra.

“A keni thënë që doni që në Amerikë të vijnë njerëz nga Norvegjia? A është kjo e vërtetë?”, pyeste Acosta me këmbëngulje, ndërsa Trump nuk donte të përgjigjej dhe tha ‘dua që njerëzit të vijnë në Amerikë nga çdo shtet’.

Megjithatë, gazetari i CNN nuk u ndal dhe e pyeti sërish nëse ai ka dëshirë që në Amerikë të vijnë njerëz me ngjyrë nga vende të ndryshme.

Këtu Trump shpërtheu dhe e urdhëroi gazetarin të dilte jashtë, ndërsa stafi i Presidentit ndërhyri duke ia pamundësuar gazetarit të vazhdojë me pyetjet.

Acosta ka qenë një prej gazetarëve më aktivë në përcjelljen e punës së Shtëpisë së Bardhë dhe Trumpit. Kjo nuk është hera e parë që ata përplasen. Acosta ka kërkuar llogari dhe ka shtruar pyetje të ashpra edhe ndaj zëdhënësve të qeverisë amerikane, ndërsa CNN është cilësuar shpesh nga  Trump si rrjet televiziv që shpërndan lajme të rreme.