Kriza kufitare kroato-malazeze në Adriatik?

Bota January 16, 2018 - 13:11

Kroacinë dhe Malin e Zi po i presin bisedime të pasigurta rreth bregdetit në gadishullin e Prevllakës ose një proces i drejtuar nga gjyqësori ndërkombëtar.

Kriza aktuale në mes të Kroacisë dhe Sllovenisë rreth kufirit detar në gjirin e Piranës ka shtyrë në sfond faktin se Kroacia ka një problem të ngjashëm dhe me dy vende fqinje tjera në bregdetin e Adriatikut. Ndërsa mosmarrëveshja me Bosnjën dhe Hercegovinën në Neum është relativisht e pranishme në publik, çështja e hapur me Malin e Zi përmendet shumë rrallë. Kjo nuk është aq e keqe në këtë kontekst, sigurisht, por tema së shpejti mund të fillojë të zhvillohet më intensivisht - në këtë apo në atë drejtim. Mediet malazeze kanë vënë në dukje këtë mundësi ditëve të fundit, duke thënë se zgjidhja e kësaj mosmarrëveshjeje kufitare pritet gjithashtu të jetë si një kusht i mundshëm në procesin negociues të vendit për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Komisioni i përbashkët për demarkacionin i Republikës së Kroacisë dhe Malit të Zi nuk është takuar për tre vjet. Ndërkohë, protokolli i miratuar nga viti 2002 është ende në zbatim, i pasuar nga një njoftim i përgjithshëm se çështjet e mbetura do të rregullohen në kohën e duhur. Duhet theksuar se demarkacioni i tokës nuk konsiderohet i diskutueshëm, por që dukja e kufirit detar mes dy vendeve, tek gadishulli kroat i Prevllakës, tani mbetet i paparashikueshëm.

 

Shmangia nga tensionimi i përhershëm

"Për të gjitha vendet në botë ekzistojnë dy rregulla themelore për kufijtë, sipas të drejtës ndërkombëtare", tha për DW-në akademiku Davorin Rudolf, një avokat dhe ish-diplomat. “Së pari merret parasysh kufiri i cili është hasur në fitimin e pavarësisë dhe ky parim në aspektin juridik quhet ‘Uti Possidetis Juris’”, dhe të gjitha shtetet që dolën nga Jugosllavia u deklaruan se do t’i përmbahen këtij parimi. Pjesa tokësore nuk është e diskutueshme dhe kudo që ishte u mat metër për metër e mjaft saktë është përcaktuar se ku dhe kujt i përket. Rregulli i dytë ka të bëjë me detin dhe rregullohet nga Konventa e OKB-së mbi Ligjin e Detit. Ajo thotë se kufiri detar fillon nga vija e mesit të pikave tokësore mes dy vendeve – “për sa kohë që shtetet nuk bien dakord ndryshe", shpjegon Rudolf.

Por bashkëbiseduesi ynë thekson se interesi i Malit të Zi në Prevllakë është dukshëm më i theksuar se ai i Kroacisë. "Është një çështje sigurie, për shkak të hyrjes në Boka Kotorska. Për këtë arsye besoj se, sipas praktikës më të mirë të marrëdhënieve ndërshtetërore, ky argument mund të merret parasysh, veçanërisht pasi që për Kroacinë asgjë në thelb nuk ndryshon. Ne duhet të kemi kujdes që nga kjo të mos formohet vatra e një lloj tensioni të përhershëm që mund t’i shërbejë vetëm qëllimeve të dyshimta", tha Davorin Rudolf dhe ka shtuar se çështje të tilla nuk zgjidhen domosdoshmërisht me ndryshimin e kufijve, por gjithmonë si një mjet mbetet dhe një marrëveshje mbi një regjim të veçantë kufitar që merr parasysh përjashtimet e mundshme.

Vend i mundshëm i naftës dhe i gazit

Kroacia kështu do të ishte në gjendje të pajtohej me lëvizjen e kufizuar të anijeve të saj ushtarake dhe policore pranë hyrjes në Boka Kotorska. Në qoftë se të dyja palët nuk gjejnë një zgjidhje të negociuar, procesi në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë do të ishte një zgjidhje më e mirë sesa Arbitrazhi i jashtëm, e cila mund të shihet nga përvoja me Slloveninë. Rudolf mbi të gjitha paralajmëron mbi mundësinë e ndërhyrjeve të dëmshme të palëve të tjera në raste të tilla.

Luko Brailo, një kolumnist i portalit “DubrovnikNet.hr”, është i mendimit se do të ishte e vështirë të paragjykohej zgjidhja përfundimtare. Zagrebin dhe Podgoricën po i presin negociata serioze dhe gjithashtu për shkak se bëhet fjalë për pjesën e vlefshme të së ashtuquajturës, rripi epikontinental, si dhe zonën me depozita të mundshme të gazit dhe të naftës.

"Duhet të rikujtojmë dhe se Mali i Zi në vitin 1991 me Serbinë dhe armatën jugosllave filluan 'luftën për paqe' duke pushtuar një pjesë të rajonit të Dubrovnikut", thekson Brailo.

Ai gjithashtu citon fakte të mëtejshme në lidhje me njoftimet e përsëritura të Zagrebit dhe Podgoricës rreth zgjidhjes së çështjeve kufitare, të parealizuara deri më tani: "Gjithashtu, qeveria malazeze dhe diplomacia gjatë disa viteve të fundit nuk e deklaruan" vijën e mesme "të ndarjes së zonës së detit në hyrje dhe në zonën përreth Boka Kotorska".

Tejkalimi i kësaj dhimbjeje koke

Nga ana tjetër komentuesi i portalit “DubrovnikNet.hr”, thekson se zyrtarët kroatë dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht detarë, kanë përkrahur rregullisht demarkacionin në det në përputhje me parimet e baraslarguara nga Konfini dhe Prevllaka në njërën anë dhe deri në Lusticë në anën tjetër të hyrjes në Bokë. "Është fakt se në Podgoricë qarqet politike-diplomatike dhe mediet me interes të madh kanë ndjekur zhvillimet në lidhje me kontestin kroato-slloven dhe rezultatin e arbitrazhit ndërkombëtar dhe në këto qarqe besojnë se Mali i Zi mund të kalojë më mirë në një ‘përplasje’ të ngjashme me Zagrebin", dëshmon Brailo.

Megjithatë, sipas mendimit të tij duhet të konsiderohet dhe një moment kryesisht të pashprehur në publik: komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm se Kroacia ka më shumë bregdet dhe det në raport me tri vendet e përmendura fqinje, gjë që pjesërisht mund të përcaktojë rrjedhën e negociatave nën ndikim të jashtëm. "Duke u bazuar në këtë logjikë, ndoshta Kroacia do të ‘duhej paksa të lëshojë pe’ në lidhje me kufirin detar me Malin e Zi dhe të mos ndihet si palë e dëmtuar”, konkludon Luko Brailo.