Arrin në 18 numri i viktimave nga rrëshqitjet e baltës në Kaliforni

Bota January 13, 2018 - 21:12

Numri i viktimave nga rrëshqitjet e baltës që kanë rrënuar një qytet të Kalifornisë, është rritur në 18, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për shtatë persona që mbeten të zhdukur. Po veniten edhe shpresat se mund të gjenden persona të mbijetuar.

Zyra e sherifit të Santa Barbaras i bëri një lutje të hapur publikut për të ofruar informacion rreth personave të zhdukur, ndërsa u shpreh se nëse do të gjendej ndonjë i mbijetuar, do të ishte një mrekulli.

Ndërsa ekipet e kërkimit rrëmonin mes baltës, shkëmbinjve dhe shtëpive të rrafshuara, sherifi Bill Brown tha se u zbulua viktima e 18-të, 87-vjeçari Joseph Beckel, në shtëpinë e tij në zonën e Kanionit Romero.

Pasi shirat e rrëmbyeshëm rrënuan zonën, ishin raportuar fillimisht 43 persona të zhdukur, shumica e të cilëve më vonë u gjetën të sigurtë. Numri i të zhdukurve tashmë është shtatë persona.

Shumica e banorëve të qytetit Montecito, në veri të Los Anxhelosit, vazhdojnë të mos lejohen të rifuten në qytet, ndërsa aty po riparohen linjat e gazit dhe elektricitetit.