Gjermania arreston një serb të dyshuar për krime lufte

Bota January 09, 2018 - 09:07

Prokurorët në Bosnjë-Hercegovinë thonë se autoritetet gjermane e kanë arrestuar ish-pjesëtarin e forcave serbe të Bosnjës, Millorad Obradoviç, i cili është i dyshuar për krime të luftës në këtë vend, pas shkatërrimit të Jugosllavisë së dikurshme.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm ka njofutar dje se i dyshuari Obradoviç është arrestuar në rajonin e Munihut, në bazë të një fletarrresti ndërkombëtar nga Bosnjë-Hercegovina, raporton REL.

Mëtutje në njoftimin e prokurorëve në Sarajevë theksohet se autoritetet e Gjermanisë e kanë filluar procedurën për ekstradimin në Bosnjë të këtij të dyshuari, 51-vjeçar.

Obradoviç është i dyshuar për pjesëmarrje në burgosjen e afro 120 civilëve myslimanë të Bosnjës, afër qytetit veriperëndimor, Prijedor, në korrik të vitit 1992.

Më vonë civilët e burgosur ishin ekzekutuar, ndërsa tre prej tyre ishin vrarë nga i dyshuari, Millan Obradoviç, theksohet në aktakuzë.