Merkel, “optimiste” për t'i dhënë fund ngërçit politik

Bota January 08, 2018 - 08:30

Më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve Gjermania është ende pa një qeveri të re.

Bisedimet pesëditore do t’i përfshijnë Kristian Demokratët e Merkelit (CDU), partinë e saj simotër Bashkimin Kristian Social (CSU) dhe Social Demokratët (SPD).

Shumica e shohin këtë si shansin e saj të fundit për ta formuar një koalicion të qëndrueshëm.

Pse ka ende bllokim?

SPD e qendrës së majtë ka qeverisur së bashku me partinë e qendrës së djathtë të kancelares Merkel për tetë vjetët e fundit. Por, pas një rezultati të dobët historik në shtator, kreu i SPD-së Martin Schulz u zotua ta dërgojë partinë e tij në opozitë.

Presioni është ngritur në SPD-në që nga nëntori, kur zonja Merkel dështoi ta përfshijë një koalicion me FDP-në liberale dhe të Gjelbrit.

Kancelarja tani duhet t’i bindë udhëheqësit e SPD-së që ata kanë qëllime të mjaftueshme të përbashkëta për t’i filluar negociatat formale të koalicionit deri në mars ose në prill, përcjell "Zëri" shkrimin e BBC-së.

Ndërsa ajo mbërriti në bisedime, zonja Merkel tha se ishte optimiste që një marrëveshje mund të arrihej. Ndërkohë, z. Schulz tha se nuk do të tërheqë asnjë vijë të kuqe dhe se “kohët e reja kërkojnë një politikë të re”.

Aleatët e Bashkimit Evropian, si Franca, e shohin Gjermaninë si shtyllë të stabilitetit në bllok dhe shpresojnë që z. Merkel të ketë sukses.

Megjithatë, sipas një sondazhi të së dielës, një në tre votues mendonin se bisedimet e së dielës do të dështonin, ndonëse 54% thanë se një “koalicion i madh” i ringjallur i partive të mëdha do të ishte pozitiv për Gjermaninë.

Cilat janë pikat e fërkimit?

Emigracioni, Evropa, taksat dhe kujdesi shëndetësor mund të bëhen të gjitha tema të diskutueshme. Brenda SPD-së ka frikë se ribashkimi në një koalicioni të madh do t'i kushtonte partisë akoma më shumë në aspektin e mbështetjes.

Vlerësimet për partinë sipas sondazhit janë të ulëta dhe disa kritikë të qendrës së majtë argumentojnë se SPD-ja ka hequr dorë nga parimet e saj bazë për t'u ngjitur në pushtet me zonjën Merkel.

Z. Schulz tha të dielën se donte ta sillte Gjermanin në hap me kohën sa i përket politikës së arsimit, investimeve, strehimit dhe infrastrukturës.

Në komentet e saj kancelarja u përqendrua në sigurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe në kohezionin social.

“Themelet e prosperitetit duhet të vendoseshin për vite në mënyrë që gjermanët të mundë të jetonin në siguri dhe në demokraci”, tha ajo, transmeton "Zeri.info".

Merkel po përballet me presion nga konservatorët, të cilët thonë se ajo i ka braktisur vlerat tradicionale dhe ka nxitur votuesit drejt alternativës së djathtë për Gjermaninë (AfD), e cila tashmë është përfaqësuar në parlamentin federal për herë të parë.

Më shumë se tre muaj kanë kaluar që nga zgjedhjet, periudha më e gjatë e ndërtimit të koalicionit që Gjermania ka njohur ndonjëherë. Nuk është një krizë.

Dhe ka një qeveri kujdestare. Por kjo do të thotë se vendimet e rëndësishme për të ardhmen e Gjermanisë dhe të BE-së janë në pritje. Pra, presioni është duke u zhvilluar për ta formuar një koalicion. Nëse bisedimet shkojnë mirë qeveria e re mund të formohet shumë shpejt.

Do të ketë mosmarrëveshje si për refugjatët, ashtu edhe për taksat. Por, ka edhe interesa të përbashkëta. Dhe, asnjërës palë nuk i pëlqen ideja alternativave për një marrëveshje koalicioni: ose një qeveri e pakënaqshme e pakicës, apo zgjedhje të reja - gjë që do të thoshte një periudhë e gjatë pasigurie.

A do të kenë sukses bisedimet?

Udhëheqësit nga tre aleatët e mundshëm u takuan më 3 janar për t’i diskutuar çështjet paraprake dhe janë shprehur optimistë që nga ajo kohë.

“Besimi është rritur dhe ne hyjmë në bisedime me optimizëm”, thanë në një deklaratë e përbashkët. Kryetari i SPD-së, z. Schulz, foli për një “debat shumë të fokusuar dhe kuptimplotë”.

Horst Seehofer, nga CSU-ja, tha se ndjeu se palët ndoshta do të bien dakord të qeverisin së bashku, duke thënë: “Unë mendoj se do ta menaxhojmë atë”.

Partitë kanë rënë dakord për një ndërprerje mediatike gjatë bisedimeve, të cilat do të përfundojnë të enjten. Nëse ato dëshmohen të suksesshme dhe anëtarët e SPD-së votojnë për të vazhduar, bisedimet e koalicionit të plotë do të pasojnë.

Çfarë ndodh nëse dështojnë bisedimet?

Nëse bisedimet dështojnë zonja Merkel mund ta formojë një qeveri të pakicave më pak të qëndrueshme me të Gjelbrit me mbështetjen e SPD-së.

Megjithatë, ajo më parë tha se do të preferonte zgjedhje të reja sesa të formohej një koalicion i pakicës. /BBC/. /ZËRI/