Thellimi i sektarizmit fetar, strategjia e re vdekjeprurëse e ISIS-it

Bota January 06, 2018 - 08:57

Kalifati i shumë propaganduar, është tashmë i shembur, i shtypur nga fuqia e forcave ajrore ruse, siriane dhe amerikane, milicitë e mbështetura nga Irani, forcat kurde, si dhe ushtritë zyrtare të Damaskut dhe Bagdadit.

Por ndërsa 2017-a, mund të ketë shënuar fundin e ëndrrës së Shtetit Islamik. për të jetësuar vizionin e tij të zymtë të një shoqërie ideale, viti përfundoi me një shenjë ogurzezë, se fushata e tij vdekjeprurëse ndërkombëtare kundër shumë njerëzve dhe besimeve, që i sheh si armiq shpirtërorë, ka mbledhur energji të reja, transmeton "Zëri".

Të enjten e kaluar, dhjetëra civilë në Kabul gjetën vdekjen në një sulm vetëvrasës, që synonte një qendër kulturore shiite në kryeqytetin afgan.

Sulmi ishte i fundit në vazhdën e sulmeve të ndërmara nga një degë e ISIS-it, që ka rezultuar rezistente pavarësisht një fushate të vazhdueshme kundër saj gjatë muajve të fundit.

Sipas agjencisë së lajmeve “Amaq” të lidhur me ISIS, tre shpërthime ndodhën në kompleks, ku ndodhet gjithashtu edhe një agjenci lajmesh. Një kamikaze shpërtheu më pas në mesin e turmave në qendrën kulturore Tebjan.

Të paktën 41 vetë humbën jetë, dhe 90 të tjerë u plagosën. Sulmi ndodhi pavarësisht një fushate të përshkallëzuar nga ana e SHBA-së dhe Afganistanit, për të çrrënjosur kërcënimet që rrjedhin nga ISIS-i dhe talebanët, veçanërisht pasi Donald Trump mori detyrën në janar.

Goditja brenda kryeqytetit afgan, pavarësisht rritjes së masave të sigurisë dhe atyre ushtarake, ka rritur gjithashtu frikën mbi aftësinë e vazhdueshme të grupit për të bërë keq, edhe tani që Kalifati i ngritur dikur në Irak dhe Siri, është shkatërruar.

Në prill, SHBA-ja madje hodhi “nënën e të gjitha bombave” mbi një bazë të ISIS-it në Afganistan, një tregues i fushatës së egër kundër saj. Por kjo fushatë e pamëshirshme, nuk arriti ta rrënonte atë.

Muajt e fundit, ekspertët dhe zyrtarët, kanë vënë në dukje një përpjekje të suksesshme nga dega e ISIS-it për të hedhur rrënjë brenda kryeqytetit, duke rekrutuar dhjetëra anëtarë lokalë, përfshirë edhe fëmijët, përcjell "Zëri".

Në Afganistan, ISIS-i kishte bërë shumë me pak luftëtarë. Në Libi, për shembull, grupi kishte qindra luftëtarë lokalë me përvojë në vitet e hershme të luftës në Irak, dhe që luajtën një rol kryesor në përpjekjet e hershme të ISIS-it në Siri në vitin 2014, por vrulli i tij është zbehur dy vitet e fundit.

Për dallim, dega e Afganistanit, ka konkurrencën e militantëve talebanë të ringjallur, që kanë lidhje më të thella me vendin, por ajo ka arritur gjithësesi të zgjerojë praninë e saj. Goditja brenda kryeqytetit, sugjeron që grupi ka evoluar me sukses, nga një organizatë kryesisht e udhëhequr nga jashtë, në një organizatë vendore gjithnjë e më të lokalizuar.

Përveç qëndrueshmërisë së tij në Afganistan, natyra e sulmit të së enjtes së shkuar, është një paralajmërim i asaj që do të vijë, në kushtet kur ISIS-i ka humbur kalifatin e saj në Irak dhe Siri. Në deklaratën e saj për sulmin, media e ISIS-it, pohoi se qendra kulturore u financua dhe u sponsorizua nga Irani.

“Qendra, është një nga më të dalluarat për prozelizimin e shiizmit në Afganistan. Afganët e rinj, do të dërgoheshin në Iran për të ndjekur studime akademike në duart e klerikëve iranianë”- thuhej në të.

Tema sektare, ka të ngjarë të jetë fokusi kryesor i grupit në vitet e ardhshme, pasi se të tërhiqet nga Kalifati tek një kryengritje. Narrativa sektare, e ndihmoi grupin të paraqesë një “ideologji të afërt” nga Afganistani në Siri, në vend të Kalifatit që duket se ka humbur; mesazhi i tij ndaj ithtarëve të tij është se viktimat e sulmit të saj, qenë ushtarë potencialë për ushtritë që Irani po formon kudo.

Paraqitja e vetes si linja e fundit mbrojtëse kundër Iranit, do të sigurojë që operacionet e saj të lokalizuara të kenë një temë të përgjithshme rajonale, edhe pse e ka humbur Kalifatin global. Kjo ka qenë një temë e përsëritur që nga rritja e saj në vitin 2014, por grupi është përqendruar gjithnjë e më shumë në sektarizëm, jo ëvetëm kundër shiitëve, por edhe kundër të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare, transmeton "Zeri.info".

Sulmi i grupit terrorist brenda Iranit në qershorin e vitit të shkuar, u ndërmor për të arritur këtë objektiv, dhe sulmet që ai i portretizon si të drejtuara kundër interesave iraniane, sikurse ishte ai në Kabul, shërbejnë për një qëllim të ngjashëm.

Duke vepruar në këtë mënyrë, ai kërkon të futet në një treg në të cilin si Al-Kaida ashtu edhe Talebanët nuk mund të konkurrojnë me të njëjtën fuqi, pasi ato tentojnë të përqendrohen në një luftë relativisht më pak sektare në retorikën e tyre.

Raportet e militantëve që po ikin nga një Kalifat në shembje e sipër, kanë dalë kohët e fundit.

Për shembull, në muajin dhjetor 2017, agjencia e lajmeve “France-Presse”, raportoi se luftëtarët francezë dhe algjerianë udhëtuan për në Afganistan nga Siria, për t’iu bashkuar degës së ISIS-it. Prirje të ngjashme u raportuan në Egjipt dhe Libi. Një zyrtar i Unionit, Afrikan, tha gjithashtu se shumica e 6.000 njerëzve që kishin udhëtuar për në Siri në vitin 2014, mund të riktheheshin në shtëpi.

Luftëtarë të tillë, mund të plotësojnë radhët dhe të rigjallërojnë kryengritjet e shpërndara në të gjithë rajonin, në një mënyrë të tillë që nuk do të mundnin, kur fokusi i grupit ishte në Irak dhe Siri.

Degët e ISIS-it që u krijuan, mbetën të kufizuara në madhësi dhe disa prej tyre u dobësuan, pasi grupi i militantëve qe shumë i vogël. Kjo mund të ndryshojë, pasi ish-luftëtarët të largohen nga Siria dhe Iraku për në vendet e tjera të rajonit, ku është më e lehtë të lidhen me bashkëpunëtorët ekzistues, se sa nëse do të udhëtonin në vendet e tyre të origjinës, si në Evropë dhe në Britani, përcjell "Zëri".

Grupimi terrorist lulëzon atu ku ka shumë polarizim dhe pakicat fetare paraqesin rastin e objektivave të butë, për t’i kundërvënë njerëzit ndaj njëri-tjetrit. Këto synime, i mundësojnë gjithashtu ISIS-it të ri-rreshtohet kundër Al-Kaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste.

Humbja territoriale e Kalifatit, mund të zvogëlojë kërcënimet ndaj perëndimit, por për rajonin e afërt, ku mund të lëvizë më lehtë, ISIS-i do të vazhdojë të shfrytëzojë ndarjet sociale dhe ngërçin politik, për të rigrupuar dhe përforcuar veten./“The Guardian”/. /ZËRI/

Image