Rikthehen tensionet mes SHBA-së dhe Pakistanit pas deklaratave të Trump-it

Bota January 02, 2018 - 18:00

Islamabadi thërriti dje ambasadorin amerikna në Pakistan, në një gjest të rrallë sfide pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump për të pezulluar ndihmën që jepet për këtë vend të akuzuar se nuk bën mjaftueshëm kundër terrorizmit.

Ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë turbullta prej disa muajsh, ambasadori David Hale ishte ftuar që të shkonte dje në mbrëmje në Ministrinë e Punëve të Jashtme në pakistan.

“Ai vajti dhe takoi disa përgjegjës”, deklaroi një zëdhënës i ambasadës, pa dhënë më shumë detaje.

Nga ana tjetër Ministria pakistaneze nuk ka bërë asnjë koment.

Por, sipas një zëdhënësi, kryeministri, Shahid Khaqan Abbasi ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Sigurisë sot në mesditë, ku merrnin pjesë krerë të fuqishëm të ushtrisë pakistaneze.

Thërritja e ambasadorit u bë pas një mesazhi në Twitter nga Donald Trump, i cili ishte shumë i ashpër me Pakistanin.

“SHBA-ja i ka dhënë marrëzisht 33 miliardë dollarë ndihma Pakistanit këto pesë vitet e fundit dhe ata kanë dhënë në këmbim vetëm mashtrime dhe hipokrizi, duke i marrë krerët tanë për idotë”, shkruan presidenti amerikan.

“Ata strehojnë terroristët që ne kërkojmë në Afganistan, pa na ndihmuar. Ky është fundi!”, thekson ai.

Që prej atentateve të 11 shtatorit 2001, dy vendet kanë lidhur një partneritet strategjik për të shbërë grupet e armatosura islamike në rajon.

Por SHBA-ja, ashtu si Afganistani, akuzojnë Pakistanin se mbështet talebanët që veprojnë në vendin fqinj.