“Mentaliteti i Luftës së Ftohtë” i Amerikës zemëron Kinën, reagon edhe Rusia

Bota December 19, 2017 - 20:53

Raporti i politikës së re amerikane të sigurisë kombëtare e ka irrituar Kinën, që reagoi menjëherë duke deklaruar se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga ide të tilla të vjetëruara.

Shkëndijën e zemërimit të Pekinit e ndezi ajo pjesë e dokumentit, ku ai dhe Moska etiketohen si “fuqi rivale”, e përpos kësaj parashtrohen edhe një sërë kërcënimesh të mundshme që burojnë nga të dyja vendet në fjalë.

Sipas strategjisë së re amerikane, ekzekutivi kinez dhe qeveri të tjera janë të vendosura të sfidojnë fuqinë e Shteteve të Bashkuara. Ministria e Jashtme e Kinës nuk i kurseu kritikat.

“Ne u kërkojmë Shteteve të Bashkuara t’i japin fund tjetërsimit të qëllimshëm të synimeve strategjike të Kinës dhe të braktisë mentalitetin e Luftës së Ftohtë, apo lojën nga e cila nuk fiton askush”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Moska iu përgjigj gjithashtu strategjisë së re amerikane, me komentin se nuk e pranon dot që të trajtohet si kërcënim dhe kritikoi po kështu atë që e quajti “karakter imperialist” të dokumentit. 

“Kina dhe Rusia, – thuhet aty, – janë duke sfiduar fuqinë amerikane, ndikimin dhe interesat e saj, me përpjekjet për të gërryer sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara. Janë duke investuar në botën në zhvillim për të shtrirë ndikimin e tyre e për të fituar avantazhe konkurrence në kurriz të Amerikës”.

“Pekini në Europë, – theksohet më tej, – është duke u përpjekur të fitojë terren përmes praktikave të pandershme tregtare dhe investimit në industritë kyçe”. /Tch/