Sebastian Kurz, kancelar i ri austriak

Bota December 19, 2017 - 08:25

“Që nga e hëna ai është kreu më i ri i një qeverie evropiane” është titulli i publikuar nga tabloidi “Bild” me një pamje të Kurzit të entuziazmuar, i cili në prezencë të kamerave rregullon kravatën dhe xhaketën e tij në mënyrë që të pozojë para gazetarëve.

“Bild” veçon se Kurz “vazhdimisht ka kritikuar ashpër politikën ndaj refugjatëve të kancelares gjermane Angela Merkel. Si ministër i Jashtëm austriak ai e ka kundërshtuar marrëveshjen BE-Turqi për refugjatët; Austria ka aplikuar një kufizim për numrin e refugjatëve, të cilët do t’i pranojë dhe imponoi mbylljen e rrugës ballkanike”.

Gazeta vjeneze “Der Standard” vëri në dukje se programi i qeverisë së re austriake OVP dhe FPO është i shkruar në vetëm tri fletë e gjysmë dhe se programi nuk do ta ndalojë rënien e vazhdueshme të rëndësisë së Austrisë në botë. Në fushën e politikës evropiane dhe të jashtme kjo gazetë thekson ngjashmërinë me retorikën e Donald Trumpit, “Amerika e para”, sepse në program shkruan: “Masat e veprimeve tona në arenën ndërkombëtare janë interesat e Austrisë dhe të popullsisë së saj”, transmeton "Zëri".

Por, komentuesi i gazetës vjeneze vë në dukje se ndër të tjera theksohet se “Austria është pjesë integrale e BE-së dhe monedhës së përbashkët euros, që përbën një pasazh për t’i siguruar të gjithë ata që kanë frikë se Austria mund të dëshirojë të largohet nga BE-ja dhe nga bashkimi monetar”.

Portali i lajmeve NTV botoi një intervistë me gazetaren Nina Horaçek, e cila së bashku me kolegen e saj Barbara Tot botoi biografinë e Sebastian Kurz.

Libri është plot me analiza dhe intervista me njerëz nga mjedisi i kancelarit të ri, por Kurtz nuk shprehu vullnet të bashkëpunojë me autoret dhe të flasë për veten e tij. Nina Horaçek në mënyrë kritike e sheh kancelarin e ri dhe thekson se ai është tepër i preokupuar me pushtetin politik.

“Ai është një konservator që shërbehet me populizëm, ndoshta jo një populist i pastër, por i shoh modelet që përdor”.

Kjo gazetare e krahason Kurtzin me ish-kreun e Partisë së Lirisë së Austrisë, Joerg Haider: “Ajo që Haider në 1999-n foli për migrimin dhe të huajt dhe ajo që thotë Kurz më 2017-n kryesisht janë identike. Këtë krahasim nuk e shoh si të tepërt; Austria nga viti 1999 ka ndryshuar shumë, duke rrëshqitur në të djathtë, ndër të tjera për shkak të koalicionit OVP/FPO nga viti 2000 deri në vitin 2006 dhe Kurtz e ripozicionoi partinë e tij në të djathtë. Ky është një fakt”, përcjell "Zeri.info".

Gazetarja e NTV-së rikujtoi se tabloidi “Bild” më herët ka publikuar një foto të Kurzit me një titull madhështor: “Pse ne nuk kemi një të tillë?”

Sipas Nina Horaçek: Mediet janë gjithmonë të interesuara për një person të ri e të zgjuar, i cili paraqitet mirë në faqet e para. Por, unë nuk besoj se Kurz do të mundë ta shpinte Gjermaninë larg. Nuk e di nëse do të doja që ndonjëherë ndonjë vend të kishte një të tillë, që ta bënte një shfaqje kaq të madhe, me kaq pak substancë”.

Në qeverinë e re të Austrisë e përditshmja “Sueddeutsche Zeitung” sheh një “pikëpyetje për Evropën”, siç thekson titulli i një analize të kësaj gazete, duke rikujtuar se në vitin 2000 tashmë ishte formuar koalicioni qeverisës OVP/FPO, ku fillimisht partnerët në Bashkimin Evropian e sanksionuan atë me rënie të vëllimit të kontakteve dypalëshe.

Ky hap ishte ndërmarrë si një protestë kundër FPO-së, e cila shprehej me një ton racist dhe ksenofobik. Tani në përgjithësi që nuk po flitet për sanksione nuk është për shkak të faktit se ato edhe atëherë ishin të paefektshme. Kjo nuk ka të bëjë me të dhënat që FPO-ja e sotshme është e ndryshme sesa në kohën e Jörg Haiderit. Arsyeja e vërtetë është se sot BE-ja është e ndryshme dhe ka shqetësime të tjera në perimetrin e djathtë, për shembull me Hungarinë dhe me Poloninë”.

Partnerët e koalicionit në Vjenë kanë ndarë rolet

“Landescajtung” beson se angazhimi i qeverisë së re austriake në BE është vetëm deklarative.

“Është vetëm një pilulë për qetësim, ende mungon një manual përdorimi, por efektet e padëshiruara me siguri do të jenë të pranishme. Dhe jo vetëm për shkak se Ministria për Politikën e Jashtme dhe të Brendshme, si dhe për Mbrojtjen i është dhënë krahut të djathtë populist. Edhe kursi ndaj refugjatëve, të cilët do të marrin më pak ndihmë, përbën një shenjë se Austria edhe më vështirë do të bjerë në stomakun e BE-së. Në politikën e Vjenës duhet të priten në të ardhmen më shumë paralele me politikat në Poloni apo në Hungari”, transmeton "Zëri".

Në shkrimin e “Frankfurter Rundschau” theksohet se “në vendin fqinj po fillon një epokë e re. Dekada e parë e këtij shekulli sa i përket emigracionit në të gjithë Evropën shkoi nën moton e integrimit. Tani ajo ia liron rrugën izolimit dhe frikësimit.

Partnerët e koalicionit në Vjenë kanë ndarë rolet. FPO-ja e krahut të djathtë në planin e brendshëm politik është ngritur si një polici për të huajt. Azilkërkuesit do të vendosen në kazermë në të ardhmen; atyre do t’u konfiskohen paratë që kanë me vete.

Ai që nuk mund të dëbohet do të marrë kaq pak para saqë do t’i duhet të vjedhë. Integrimi ishte dje, kurse OVP-ja konservatore me Sebastian Kurzin në krye është përgjegjëse për Biedermeier.

Me këtë duhet nënkuptuar shoqërinë e biznesmenëve të vegjël, ku të gjithë njohin mirë njëri-tjetrin dhe ku të gjithë u përmbahen të gjitha marrëveshjeve të paligjshme”. /ZËRI/