Izraeli mbyll vendkalimet kufitare me Gazën

Bota December 14, 2017 - 10:59

Izraeli merr vendim për mbylljen e pikave kufitare me Rripin e Gazës, Kerm Ebu Salim dhe Beyt Hanun (Erez), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Avichay Adraee, ka njoftuar se nga dita e sotme vendkalimet kufitare Kerm Ebu Salim dhe Erez do të mbahen të mbyllura për shkak të zhvillimeve të fundit të sigurisë.

Dje ishte pretenduar se nga Rripi i Gazës, i cili është nën rrethim, është gjuajtur raketë në Izrael. Adraee në një deklaratë për mediat lidhur me çështjen ishte shprehur se nga Gaza kishte sulm me raketë ndaj Izraelit dhe se “pas kësaj ushtria izraelite ka sulmuar një rajon ushtarak në Gaza, i cili i përket Hamasit”.

Gjashtë prej shtatë vendkalimeve kufitare në Gaza janë nën kontroll të Izraelit, përveç Refahut, që është nën kontroll të Egjiptit. Katër prej këtyre gjashtë vendkalimeve të cilat përdoreshin për qëllime tregtare, pas fitores së zgjedhjeve dhe marrjes së detyrës nga Hamasi në qershor të vitit 2007 ishin mbyllur nga Izraeli. Ndërkaq, nga dy vendkalimet e tjera, Bejt Hanun përdoret për kalimin e atyre që kanë pasaporta të huaja, të sëmurëve dhe biznesmenëve në Bregun Perëndimor. Kurse vendkalimi Kerm Ebu Salim përdoret për kalimin e disa produkteve tregtare. Kerm Ebu Salim dhe Bejt Hanun shpesh po mbyllen për arsye të ndryshme.