Forcat izraelite kanë arrestuar 260 palestinezë

Bota December 13, 2017 - 15:45

Forcat izraelite të sigurisë arrestuan 260 palestinezë që kur Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 6 dhjetor njohu zyrtarisht Kudsin si "kryeqytet të Izraelit", njofton Shoqata e të Burgosurve Palestinezë. 

Së paku 60 palestinezë u arrestuan në bastisjet e mbrëmshme të kryera nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor, në mesin e të cilëve dhe tetë fëmijë nga Kudsi(Jerusalemi), njofton organizata joqeveritare.

Në bastisjet në Ramallah është arrestuar kreu i Hamasit, Hasan Yousef, konfirmoi djali i tij për AA.

Sipas autoriteteve palestineze, Izraeli aktualisht mban rreth 6.500 palestinezë në burgje, shumica prej të cilëve vijnë nga Bregu i pushtuar Perëndimor.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, javën e kaluar bëri publik vendimin sipas të cilit e njeh Kudsin si "kryeqytet të Izraelit", duke shkaktuar reagime të ashpra në mbarë botën.

Trump gjithashtu bëri të ditur se kishte urdhëruar transferimin e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Kuds. Presidenti amerikan me këto veprime nxiti një valë protestash në Palestinë, por edhe në shumë vende të tjera të botës.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor më 5 qershor 1967. Ky shtet në vitin 1980 në mënyrë të njëanshme shpalli Kudsin kryeqytet, kurse Kombet e Bashkuara (OKB) këtë vendim e shpallën si të pavlefshëm.