Kerry: E turpshme tërheqja e SHBA-ve nga marrëveshja për klimën

Bota December 12, 2017 - 17:36

Ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se ishte e turpshme tërheqja e vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Ai tha se nga kjo marrëveshje nuk është tërhequr populli amerikan por Presidenti Donald Trump, transmeton AA.

Në një deklaratë për mediat në Samitin "Një Planet" të mbajtur në Paris të Francës, Kerry tha se "Nëse vërehet nga shkenca, kuptimi dhe punimet e zhvilluara kjo është një turp për SHBA-të. Marrëveshja e Parisit për Klimën nuk është një marrëveshje një vjeçare, por rezultat i një studimi 26-vjeçar, por kjo u diskreditua nga njerëz që nuk e kuptojnë shkencën".

Kerry ka shtuar gjithashtu se nga kjo marrëveshje nuk është tërhequr populli amerikan por Trump, dhe ka kritikuar më tej dërgimin e vetëm të një përfaqësuesi nga SHBA-të në këtë Samit.

Presidenti amerikan Trump nuk ishte ftuar në përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Parisit për Klimën. Në Samitin e organizuar nga Franca, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, marrin pjesë krerët e përfaqësuesve të shteteve dhe qeverive si dhe përfaqësues nga rreth 100 vende.