Tri gra përsëritin akuzat ndaj Trumpit për ngacmime seksuale

Bota December 11, 2017 - 22:49

Tre gra, të cilat vitin e kaluar akuzuan zotin Donald Trump se i kishte ngacmuar seksualisht, përsëritën akuzat e tyre të hënën, duke thënë se ka ardhur koha që Kongresi të hetojë ankesën e tyre kundër presidentit.

Kërkesa vjen pas një vale akuzash ndaj dhjetëra personaliteteve të tjera të fuqishme amerikane për sjellje të pahijshme ndaj grave.

Rachel Crooks, e cila e akuzoi zotin Trump se e kishte puthur forcërisht 12 vjet më parë kur ajo punonte si recepsioniste në Kullën Trump të Nju Jorkut, tha se ligjvënësit duhet “të lënë mënjanë përkatësitë e tyre partiake dhe të hetojnë historinë e keqtrajtimeve seksuale ndaj grave nga ana e zotit Trump”.

Ajo komentoi në praninë e akuzueseve të tjera të zotit Trump në një konferencë shtypi në Nju Jork: Samantha Holvey dhe Jessica Leeds.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, më shumë se dhjetë gra akuzuan zotin Trump për sjellje të pahijshme seksuale gjatë disa dekadave, por ai i mohoi të gjitha akuzat.Të hënën, ndërsa të tre gratë u shfaqën në emisionin “Today” të rrjetit NBC para konferencës së tyre të shtypit, Shtëpia e Bardhë përsëri i hodhi poshtë akuzat.

“Këto pretendime të rreme, të hedhura poshtë në shumicën e rasteve nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë, u trajtuan gjerësisht gjatë fushatës së vitit të kaluar dhe populli amerikan shprehu gjykimin e tij me një fitore vendimtare”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha: 

“Ne mendojmë se këto akuza e kanë marrë përgjigjen” nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016. “Populli amerikan e dinte këtë dhe votoi për presidentin.” /VoA