Vendimi i Trumpit për Jerusalemin premton trazira

Bota December 07, 2017 - 08:22

Kritikët dyshojnë se presidenti vepron në bazë të parimeve të mbajtura gjatë ose një strategjie koherente të sigurisë kombëtare dhe se ai është i vendosur të përcaktojë qëllime të tjera personale në një kohë kur duhet t’i tregojë bazës së tij politike se po përshpejton me premtimet gjatë fushatës së tij.

Çështja është sidomos akute, sepse ka kaq shumë dobësi të mundshme. Ka frikë se veprimi i Trumpit do të shkaktojë dhunë kundër amerikanëve dhe interesave të SHBA-së dhe një përplasje më të gjerë të Lindjes së Mesme, veçanërisht në vendet ku liderët mbështesin qeverinë amerikane.

Konsullata e SHBA-së në Jerusalem paralajmëroi amerikanët të jenë të kujdesshëm ndaj demonstratave, pasi fraksionet palestineze kërkuan “tri ditë zemërim” në të gjithë Bregun Perëndimor.

Papa Françesku shprehu “shqetësim të thellë” mbi këtë veprim, duke bërë një “apel të përzemërt për të bërë angazhimin e të gjithëve për të respektuar statusquon e qytetit në përputhje me rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara”.

Vendimi i Trumpit gjithashtu do t’i sfidojë apelimet e shprehura nga udhëheqësit e aleatëve në Lindjen e Mesme dhe në Evropën, dhe kështu mund t’i dëmtojë qëllimet dhe marrëdhëniet e politikës së jashtme amerikane.

Masa ka të ngjarë që ta harxhojë çdo ide të mbetur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë një ndërmjetës i ndershëm në bisedimet e statusit përfundimtar të ngadaltë midis Izraelit dhe palestinezëve.

Gjithashtu ka të ngjarë që të zvarritet përpjekja e dhëndrit të tij Jared Kushner për ta ringjallur dialogun izraelito-palestinez, raporton CNN transmeton "Zëri".

Njohja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja dhe reagimi që po shkakton në të gjithë botën na kujton statusin unik të këtij qyteti të shenjtë për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët dhe në zemër të njërit prej konflikteve më të gjata të historisë së planetit.

Përse ky reagim?

Jerusalemi mban në vetëm disa qindra metra katrorë brenda mureve të Qytetit të Vjetër vende të shenjta për miliarda njerëz. Sheshi i xhamive quhet Haram al-Charif (Shenjtorja Fisnike) nga myslimanët dhe Mali i Tempullit nga hebrenjtë.

Ky është vendi i tretë i shenjtë për Islamin. Sipas traditës myslimane, kjo është shenjtorja më e largët ku profeti Muhamet ka vajtur.

Kubeja emblematike e Shkëmbit, me kupolën e saj të artë, ndodhet në shkëmbin ku profeti u ngjit në qiell. Ky vend shpeshherë merr edhe emrin e xhamisë “Al Aqsa”, që ndodhet aty.

Por, është gjithashtu edhe vendi më i shenjtë për hebrenjtë si vendi ku ndodhej tempulli i tyre. Më poshtë gjendet Muri i Lotëve, një mur mbajtës i vjetër dhe mbetja e fundit e Tempullit të Dytë hebre në vitin 70 pas Krishtit, i shkatërruar nga romakët. Ky është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë luten, përcjell "Zëri".

Kryeqytet për izraelitët…

Hebrenjtë e konsiderojnë Jerusalemin, ish-kryeqytet të mbretërisë së Izraelit të mbretit David (shek. X para Krishtit), si kryeqytetin e tyre historik prej më shumë se 3 000 vjet për arsye fetare dhe politike.

Që prej shkatërrimit të Tempullit të Dytë judaizmi ka kërkuar gjithnjë një rikthim në Jerusalem.

Edhe për palestinezët

Palestinezët pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të cilin duan ta krijojnë. Ata përbëjnë një të tretën e një popullsie prej rreth 882 000 personash (sipas statistikave izraelite), por që shumica ndodhen në Jerusalemin Lindor.

Jerusalemi Lindor, që ka qenë nën kontrollin e Jordanisë, u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe më pas u aneksua. Për Izraelin qyteti u “ribashkua”. Një ligj themeltar i vitit 1980 ka vendosur statusin e Jerusalemit si kryeqyteti “i përjetshëm dhe i pandashëm” i Izraelit.

Një vend tensionesh të vazhdueshme

Për izraelitët dhe palestinezët Jerusalemi është një simbol kombëtar dhe fetar i fuqishëm. Për palestinezët, që kërkojnë pavarësi, mbrojtja e Jerusalemit dhe “Al Aqsa” shërben si thirrje për bashkim, transmeton "Zeri.info".

Sheshi është vazhdimisht burim tensionesh. Për arsye historike ai mbetet nën mbrojtjen jordaneze, por të gjitha hyrjet kontrollohen nga forcat izraelite. Hebrenjtë janë të autorizuar që ta vizitojnë, por jo të luten.

Megjithatë, disa përpiqen vazhdimisht ta shkelin këtë ndalim, duke shkaktuar incidente. Palestinezët druhen se ajo që kritikojnë si cenim izraelit në këtë vend mund të përfundojë me një marrje të plotë të kontrollit nga hebrenjtë.

Vizita e kreut izraelit Ariel Sharon në shesh në vitin 2000 do të shërbente për ta filluar Intifadën e Dytë.

Instalimi në vitin 2017 nga Izraeli i detektorëve të metaleve në hyrje të këtij vendi kishte shkaktuar dy javë dhunë. /ZËRI/