Franca reagon ndaj vendimit të Trumpit për Jerusalemin

Bota December 06, 2017 - 21:23

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka reaguar pas vendimit të homologut të tij amerikan, Donald Trump, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti amerikan i ka dhënë fund një politike të jashtme gati 70-vjeçare amerikane, teksa ka urdhëruar gjithashtu zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Qytetin e Shenjtë, që për kryeqytetet e pretendojnë edhe palestinezët.

LEXO EDHE: Trump e bëri atë që tre presidentë amerikanë nuk guxuan, kundërshtarët paralajmërojnë pasoja

Macron ka thënë se “Franca nuk e mbështet vendimin e Shteteve të Bashkuara për Jerusalemin”.

I pari i Francës ka thënë se vendi i tij "përkrah zgjidhjen për dy shtete në Lindjen e Mesme, Izrael dhe Palestinë, me Jerusalemin si kryeqytet të të dyve".

“Duhet të përqendrohemi tek pajtimi dhe dialogu”, është shprehur Macron.

Edhe udhëheqës të tjerë evropianë e arabë kanë reaguar pas vendimit të Trumpit për Jerusalemin.

Ata kanë paralajmëruar se vendimi i presidentit amerikan rrezikon seriozisht të dëmtojë çfarëdo iniciative paqësore në të ardhmen, e madje edhe të nxisë një valë të re të dhunës në rajonin e paqëndrueshëm të Lindjes së Mesme. /Express/