OKB: ISIS është mposhtur, por mbetet kërcënim

Bota November 23, 2017 - 10:37

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Irakun, Jan Kubis, tha se përkundër fitores ushtarake ndaj organizatës terroriste DEASH (ISIS), organizata vazhdon të mbetet si një kërcënim, raporton Anadolu Agency.

Kubis në Këshillin e Sigurimit të OKB-së njoftoi shtetet anëtare për mposhtjen e DEASH-it në Irak dhe për zhvillimet në këtë vend.

Duke treguar se organizata terroriste DEASH ka humbur 95 për qind të territorit të cilin e kontrollonte në Siri dhe Irak që nga viti 2014, Kubis tha se me mposhtjen e kësaj organizate janë shpëtuar 7.5 milionë persona.

Kubis vuri në dukje se në këtë proces janë vrarë dhe janë plagosur mijëra persona, janë djegur plotësisht qytetet, 6 milionë persona janë zhvendosur nga tokat e tyre dhe se qindra mijëra fëmijë po privohen nga arsimi.

Ai po ashtu tha se DEASH-i po kryen krime lufte ndaj mijëra muslimanëve dhe grupeve të minoriteteve, dhe se këta grupe po i nënshtrohen gjenocidit. “Përkundër fitores së arritur ndaj DEASH-it, ende vazhdon kërcënimi nga terrorizmit në Irak, rajon dhe Evropë”, tha Kubis.

Sipas tij, DEASH mund të kryejë sulme të rastësishme ndaj civilëve në çdo vend të botës.

“DEASH është mposhtur por ende nuk i është dhënë fund. U bëj thirrje forcave të koalicionit të cilët luftojnë kundër DEASH-it, shteteve rajonale dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i vazhdojnë përpjekjet ushtarake deri në mposhtjen e plotësishme të DEASH-it dhe sigurimin e stabilitetit në rajon”, tha Kubis.