Mattis: SHBA do të jetë e pranishme në Siri

Bota November 14, 2017 - 13:36

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka theksuar se SHBA do të jetë në Siri me praninë ushtarake deri sa të arrihet një zgjidhje e caktuar diplomatike në negociatat që vazhdojnë në Gjenevë të Zvicrës për tranzicionin politik në Siri, raporton AA.

"Vendi ku do të shkojmë për pajtim politik dhe më tej është procesi i tanishëm i Gjenevës në koordinim me Kombet e Bashkuara. Qëllimi ynë aktual është që të vazhdojmë operacionet tona deri në eliminimin e DEASH-it si 'kalifat' dhe deri në arritjen e një zgjidhjeje diplomatike në Gjenevë të ruajmë pozicionin tonë në mënyrë që ato të mos kthehen më prapa. Për këtë arsye nuk do të largohemi nga Siria deri në arritjen e një rezultati në Gjenevë", është shprehur Mattis, në një takim me gazetarët në zyrën e shtypit të Pentagonit.

Duke anashkalur përgjigjen në lidhje me masën e humbjes së DEASH-it, ai ka vënë në dukje se kjo organizatë ende nuk ka përfunduar dhe se SHBA-të do të vazhdojnë të luftojnë "përsa kohë që ata kanë dëshirën të luftojnë."

Në lidhje me sistemin raketor S-400 të cilin Turqia ia ka blerë Rusisë, Mattis është shprehur se "Ky është vendimi sovran i Turqisë. Është e qartë se nuk do të funksionojë me sistemet e NATO-s, për këtë arsye do t'i bëjnë përllogaritjet teksa përparojnë këtë çështje".