Banorët e New Yorkut sfidojnë sulmin terrorist

Bota November 02, 2017 - 09:14

Pasi një burrë 29-vjeçar drejtoi një kamion drejt një turme në “Manhattan” të martën duke vrarë tetë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë në sulmin më vdekjeprurës terrorist që goditi qytetin që nga 11 shtatori 2001, njujorkezët e bënë të qartë se ata refuzuan të mposhteshin, raporton CNN-ja, transmeton "Zëri".

Familjet festuan paradën tradicionale “Halloween Paradehours” pas sulmit, të rrethuar nga oficerët e policisë të armatosur me armë të gjata, ndërsa dhjetëra zyrtarë lokalë dhe federalë të zbatimit të ligjit janë ende duke hetuar sulmin.

"Ky ishte një akt i terrorit dhe një akt qyqar terrorist", tha guvernatori i Nju-Jorkut, Bill de Blasio.

I dyshuari u identifikua si Sayfullo Habibullaeviç Saipov, sipas burimeve të zbatimit të ligjit. Ai e drejtoi një kamion të marrë me qira në një shteg përplot me çiklistë pranë Qendrës Botërore të Tregtisë, pastaj e përplasi kamionin në një autobus shkollor dhe më pas doli jashtë duke vringëlluar armët imituese të zjarrit.

Një oficer i policisë e qëlloi atë në bark dhe ai i është nënshtruar një operacioni në një spital lokal, përcjell "Zeri.info".

Viktimat

Për pak minuta një shteg popullor i biçikletave në “Manhatan”-in e poshtëm të Nju-Jorkut u shndërrua në një skenë të tmerrshme. Biçikletat e shtypura dhe të dëmtuara mbushën rrugën ndërsa punonjësit e kujdesit mjekësor përpiqeshin për t’i ndihmuar të plagosurit.

“Gjashtë persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, dy u shpallën të vdekur në spital, kurse me dhjetëra të tjerë u plagosën. Disa prej tyre ishin turistë nga vendet e jashtme. Pesë miq nga Argjentina që po festonin ribashkimin që nga shkolla e mesme u vranë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme të Argjentinës.

"Qeveria e Argjentinës shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për vdekjen e qytetarëve argjentinas Hernán Diego Mendoza, Diego Enrique Angelini, Alejandro Damián Pagnucco, Ariel Erlij dhe Hernán Ferruchi që ndodhi si rezultat i sulmit dramatik terrorist në Nju-Jork", theksoi ministria në një deklaratë.

Ata kishin udhëtuar në Nju-Jork nga Rosario, një qytet gati 200 milje në veriperëndim të kryeqytetit të Buenos Aires. Ata po festonin 30-vjetorin e diplomimit të tyre nga shkolla Politeknike, një shkollë e lartë teknike në Rosario.

Një shtetas i gjashtë argjentinas i cili ishte gjithashtu pjesë e grupit u plagos gjatë sulmit.

"Thellësisht të prekur nga vdekjet tragjike këtë pasdite në NY. Ne e vendosëm veten në dispozicion të familjeve të viktimave argjentinase", shkroi presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri. Didier Reynders, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme për Belgjikë, tha se një shtetas belg ishte gjithashtu midis atyre që u vranë gjatë sulmit të së martës.

I dyshuari

Pasi u qëllua, Saipov i është nënshtruar operacionit të martën. Zyrtarët ishin në gjendje të bisedonin me të para operacionit, por ishte e paqartë nëse u tha atyre ndonjë gjë, tha një burim i zbatimit të ligjit për CNN-në, transmeton "Zeri.info".

Saipov erdhi në Shtetet e Bashkuara më 2010-n nga kombi i Azisë Qendrore të Uzbekistanit. Kohët e fundit, ai jetonte në New Jersey. Fqinjët e tij thanë se ai kohët e fundit jetonte pjesërisht në Paterson, New Jersey, jo shumë larg nga New Yorku.

Pak më shumë se gjashtë muaj më parë, Saipov filloi të punonte si shofer për kompaninë Uber në New Jersey. Ai e kaloi testin verifikues dhe nuk kishte asnjë ankesë në lidhje me sigurinë e tij si shofer.

I dyshuari kishte ndërveprime të shumta me zbatimin e ligjit në disa shtete, tregojnë të dhënat online. Saipov kishte dënime të trafikut të lëshuara në Misuri dhe Pensilvani. Ai u arrestua nga Patrullimi i Autostradës së Shtetit të Misurit në tetor të 2016-s, pasi një urdhër u lëshua kur ai dështoi të shfaqej në gjykatë për një kundërvajtje.

Ai pagoi një obligacion prej 200 dollarësh, të cilin e humbi kur nuk u paraqit në gjykatë për dëgjimin e tij të ardhshëm në nëntor.

Automjetet si armë

Sulmi i së martës e ktheu një automjet të zakonshëm në një armë vdekjeprurëse, një taktikë e përdorur në sulme të tjera të kohëve të fundit në Perëndim.

Në vitin 2014 një zëdhënës i ISIS-it bëri thirrje për sulme të ujqërve të vetmuar duke përdorur armatim të improvizuar.

"Nëse ju nuk jeni në gjendje të gjeni një mjet shpërthyes ose një plumb, atëherë veçoni amerikanin mosbesues, francezin ose ndonjë aleat të tyre. Shtypni kokën e tij me një guri, thereni atë me një thikë ose shkeleni atë me makinën tuaj ose hedhin atë nga një vend i lartë, ose ta mbytni, ose ta helmoni atë".

Që nga viti 2014 ka pasur 15 sulme me automjete në Perëndim nga terroristët xhihadistë, duke vrarë 142 njerëz, sipas një analize nga “New America”, një institucion kërkimor jopartiak. Këto shifra përfshijnë sulmin e së martës në “Manhattan”, përcjell "Zëri".

Vitet e fundit policia në New York ka paralajmëruar bizneset që japin me qira automjete për kërcënimet e mundshme terroriste dhe ka këshilluar ata për mënyrat për t’u përballur me këtë kërcënim, raporton CNN-ja.

Sindroma evropiane tani sulmon Amerikën

Pas planeve të “Al Qaeda”-s për 11 shtatorin sulmet po vijnë nga terroristë të improvizuar. Terrorizmi për fat të keq nuk është një gjë e re në New York.

Por ndryshimi qëndron në origjinën dhe në kërcënimin akoma më të çmendur dhe të paparashikueshëm më të cilin përballemi sot.

Nëse sulmet e 11 shtatorit i kishin treguar botës dhunën e planifikuar me kujdes nga “Al Qaeda”, e dhunshme por e vështirë për t’u ndjekur, e cila nga Amerika hidhte hijet e saj mbi të gjithë planetin, sulmi i së martës tregon të kundërtën.

Terrorizmi i militantit të rastësishëm, të ekstremistit të radikalizuar në internet ose diku tjetër, që filloi duke goditur Evropën por tani po godet edhe SHBA-në. Më pak vdekjeprurës se vrasësit e trajnuar të Osama Bin Laden, por potencialisht më i rrezikshëm pasi mund të vrasë kudo vetëm duke marrë me qira një kamion.

Hera e parë që New Yorku zbuloi të jetonte në terror ishte më 26 shkurt të 1993-s kur një autobombë shpërtheu në Kullën e Veriut të Qendrës Tregtare Botërore, duke vrarë 6 persona.

Sulmi ishte organizuar nga Ramzi Yousef, një shtetas nga Kuvajti që ishte trajnuar me “Al Qaeda”-n në Afganistan. Yousef kishte marrë financime nga Khaled Sheik Mohammed, më vonë truri i sulmeve të 11 shtatorit 2011 dhe kishte gjetur guidën shpirtërore tek Omar Abdel Rahaman, sheiku i verbër që nga New Jersey nxiste urrejtjen kundër Shteteve të Bashkuara. Më pas ndodhën sulmet tragjike të 11 shtatorit ku humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në atë kohë frika e parrëfyer nga ekspertët ishte se “Al Qaeda” do të vazhdonte me operacione më të vogla si shkëmbime zjarri në kinema, supermarket apo metro, veprime të vogla, më të thjeshta për t’u organizuar dhe kështu do të kishte gjunjëzuar një shtet të frikësuar, përcjell "Zëri".

Slogani që policia kishte vendosur në çdo vend ishte “Nëse shihni diçka, njoftoni dikë”, sepse rreziku mund të jetë kudo dhe veprimet e qytetarëve mund ta rrëzojnë atë, si heroi që dje me autobusin e tij u përpoq të ndalonte masakrën. Por në fakt jo.

Tani mund të themi që Osama do të kishte vazhduar të mendonte sulme të mëdha deri ditën kur marinsat amerikanë e fshinë nga faqja e tokës.

Me ISIS-in çdo gjë ka ndryshuar. Frika që SHBA-ja kishte më 2001-n u materializua në fillim në Evropë, ku terroristët filluan të qëllojnë me armë në lokale, stadiume dhe më pas duke shtypur njerëzit me makina.

Të thjeshtë për t’u rekrutuar sepse kontinenti është plot me emigrantë islamikë në shënjestër për t’u radikalizuar. Këtë herë Amerika në mënyrë paradoksale dukej më e sigurt sepse emigrantët e saj nga rajonet e ekstremizmit ishin më pak në numër dhe më të integruar. Pavarësisht se Trump do të dëshironte t’i mbante jashtë vendit të tij me urdhrin e ndalimit. Deri dje. /La Stampa/. /ZËRI/