Princi George merr kërcënim tmerrues nga ISIS-i

Bota October 29, 2017 - 17:43

Fanatikët e Shtetit Islamik (ISIS) kanë kërcënuar se do ta sulmojnë princin George në shkollën e tij në Londër.

Ata kanë paralajmëruar se “madje as familja mbretërore nuk do të lihet e qetë”.

Raportohet se ekstremistët e ISIS-it e kanë postuar një fotografi të mbretit të ardhshëm në aplikacionin për dërgimin e mesazheve “Telegram”, të cilës ia kanë bashkangjitur mesazhin kërcënues, transmeton Express.

Një fotografi e mbretërorit të ri pranë shkollës së tij në Battersea, në jug të Londrës, po ashtu është shpërndarë në këtë aplikacion bashkë me adresën e shkollës dhe një koment që thotë: “Shkolla nis herët”.

Mesazhi thuhet se përfshinte fjali nga një këngë xhihadiste që në shqip ka kuptimin: “Kur lufta vjen me melodinë e plumbave, ne biem në mosbesim duke dashur hakmarrje”.

Një hetim i Daily Star i ka zbuluar këto mesazhe tmerruese. Ekspertët e sigurisë kanë thënë se është e rëndësishme të monitorohet Telegrami.