Fenomeni “Katalonja”, edhe në Itali

Bota October 23, 2017 - 08:52

Lombardia, ku ndodhet “kryeqyteti” financiar i Italisë Milano dhe rajoni i Venedikut, i cili ka perlën turistike të shtetit fqinjVenecian, përbëjnë rreth 30% të pasurisë kombëtare të Italisë.

Guvernatorët e të dyja rajoneve i përkasin partisë së Lidhjes Veriore, e cila ka argumentuar gjatë se rajoni i veriut po subvencionon të gjithë jugun e varfër italian.

Në të dyja sondazhet pritet të fitojë “Po”-ja, por rezultatet nuk janë të detyrueshme, transmeton "Zeri.info".

Qeveria qendrore e Romës thotë se sondazhet janë të panevojshme, edhe pse janë të lejuara nga kushtetuta italiane.

Dy referendumet vijnë mes krizës së Spanjës, ku njëri nga rajonet më të pasura, Katalonja, mbajti një referendum mbi pavarësinë më 1 tetor, pavarësisht se gjykata e Madridit e shpalli si të paligjshëm. Si përgjigje qeveria e Spanjës ka në plan të imponojë sundim të drejtpërdrejtë.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Lombardia ka 7.9 milionë votues, kurse Veneto rreth katër milionë. Votimi filloi në orën shtatë sipas kohës lokale dhe përfundoi në orën 23:00.

Në qendrat e votimit në Lombardia janë shpërndarë 24.400 tableta përmes të cilave do të zhvillohet votimi, ndërsa votuesit në Veneto do të kenë qasje më tradicionale.

Që referendumi të jetë i suksesshëm në Veneto nevojitet pjesëmarrje prej 51 për qindësh, ndërsa një gjë e tillë nuk nevojitet në Lombardia.

Nëse shumica e votuesve mbështesin autonomi më të gjerë priten negociata me qeverinë në Romë.

Disa qarqe në vend referendumin e konsiderojnë si të panevojshëm, pasi ai nuk i referohet shkëputjes.

Mediet italiane raportojnë se kostot e referendumit me qëllim të konsultimeve, të cilat organizohen në dy rajonet, arrijnë në rreth 65 milionë euro.

“Jo edhe në Sicili!”

Por presidenti i Lombardisë, Roberto Maroni, ka kërkuar ta largojë krahasimin e votës së italianëve nga situata në Spanjë.

“Ne nuk jemi Katalonjë”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Reuters” në një intervistë në Milano, përcjell "Zeri.info".

“Ne duam më shumë pavarësi, ndërsa Katalonja dëshiron të bëhet shteti i 29-të i Bashkimit Evropian”, u shpreh Maroni.

Ai është një anëtar kryesor i Ligës Veriore.

Por njëra nga ankesat kryesore të rajoneve është se ata dërgojnë më shumë taksa në Romë, të cilat nuk kthehen në shpenzime publike.

Si Venecia, ashtu dhe Milano duan ta përgjysmojnë kontributin e tyre për Romën zyrtare.

Lombardia, thotë zoti Maroni, paguan çdo vit më shumë se 54 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa Venediku rreth 15.5 miliardë euro”.

“Taksat tona duhet të shpenzohen këtu, jo në Sicili”, shprehet Giuseppe Colonna, njëri nga banorët e Venecias, për agjencinë e lajmeve AFP.

Nga ana tjetër, kritikët e referendumeve thonë se ky është një marifet për ta forcuar krahun e djathtë të Lidhjes Veriore para zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm.

Ata thonë se referendumet nuk janë të nevojshme, sepse të gjitha rajonet tashmë kanë të drejtën kushtetuese për të negociuar drejtpërdrejt me Romën.

Edhe pse të dyja rajonet italiane në të shkuarën kanë kërkuar pavarësi të plotë nga Roma, krerët e tyre kanë bërë të qartë se votimi ka të bëjë me autonominë dhe jo me ndarjen.

Rajonet drejtohen nga guvernatorë të Ligës së Veriut

Dinamikën e shpjegon më së miri Sappada, një qytet malor në Veneto, në kufi me Friuli-Venezia Gulia.

 Një parajsë malore, qyteti do të bëhet i pari në Itali që ndërron rajon për t’u bërë pjesë e Friuli-Venezia Giulias, njëri prej 5 rajoneve gjysmëautonome të Italisë. Plani është miratuar nga qeveria italiane në shtator, pas një procesi të gjatë burokratik, transmeton "Zëri".

Njëra nga arsyet që banorët duan të jenë pjesë e Friulit është gjuha, që e ka origjinën nga Gjermania dhe kultura. 

Por më kryesorja është ekonomia. Në një rajon gjysmëautonom financat kontrollohen më mirë, ka një shërbim më të mirë shëndetësor dhe investimet janë të vazhdueshme e gjithçka rezulton në një standard më të mirë jetese.

Kjo është ajo lloj lirie që kërkojnë edhe Veneto, edhe Lombardia. 

Rajonet drejtohen nga guvernatorë të Ligës së Veriut, parti e së djathtës ekstreme. Teknikisht vota popullore, që kushton më shumë se 55 milionë euro, është e panevojshme.

Kushtetuta italiane lejon secilin rajon të kërkojë t’i shtojë fuqitë përmes dialogut me qeverinë qendrore pa pasur nevojë për një votë publike. 

Emilia-Romagna, një rajon verior i udhëhequr nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, ka nisur të mërkurën një proces të tillë. Por zyrtarët në Veneto dhe Lombardi thonë se përpjekjet për dialog me Romën janë injoruar dhe referendumi mbeti rruga e vetme. /ZËRI/