Terroristët po planifikojnë sulm si i 11 shtatorit në SHBA

Bota October 19, 2017 - 14:56

Shteti i ashtuquajtur Islamik dhe grupet e tjera terroriste kanë për qëllim të kryejnë sulme me aeroplanë ngjashëm më sulmet që ndodhën me 11 shtator në vitin 2001, tha një zyrtare e lartë e sigurisë së SHBA-ve.

Elaine Duke, ushtruese detyre e Agjencisë së Sigurisë Homeland Security, tha se grupet po përdorin sulme të vogla për të mbledhur para dhe për të “mbajtur anëtarët e tyre të angazhuar.”

“Kërcënimi është ende shumë i madh”, tha ajo në Londër, pas takimit me Sekretaren e Punëve të Brendshme, Amber Rudd.

“Organizatat terroriste siç janë ISIS ose Al-Kaida apo edhe të tjerët, duan të realizojnë një sulm të madh si ai i 11 shtatorit. Ata duan të rrezojnë aeroplanë dhe për këtë autoritetet e inteligjencës kanë informata,” ka thënë Elaine Duke.

Në muajt e fundit Britania e Madhe dhe shumë qytete në Evropë janë përfshirë nga sulme të këtyre grupeve duke lënë shumë persona të vdekur.

“Krijimi i terrorit është qëllim i tyre. Një sulm më thikë shkakton terror dhe vazhdon të prishë botën, por kjo nuk do të thotë se ata kanë hequr dorë nga një komplot i madh i aviacionit”.