Bota

Në BE 117,5 milionë njerëz gjenden në rrezik varfërie

Në BE 117,5 milionë njerëz gjenden në rrezik varfërie
17 tetor 2017 • 14 : 56

Vitin e kaluar, 117,5 milionë persona në Bashkimin Evropian (BE), që përkon me 23,4 për qind të popullsisë së përgjithshme, janë përballur me rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social.

Edhe pse zvogëlimi i numrit të personave që gjenden në rrezik nga varfëria ose përjashtimi social është një mesin e synimeve themelore të strategjisë Evropa 2020, shkalla e personave të kësaj kategorie ende ngelet e lartë.

Sipas të dhënave që Anadolu Agency (AA) ka siguruar nga Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat), vitin e kaluar, 117,5 milionë persona në BE, që përkon me 23,4 për qind të popullsisë së përgjithshme, janë përballur me rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social.

Kjo gjendje nënkupton se personat në fjalë plotësojnë njërin nga tre kriteret për t'u klasifikuar si të tillë, që janë të ardhurat nën nivelin e varfërisë, varfëri nga aspekti material ose jetesë në familje me intensitet të ulët pune.

Bullgaria, shteti me rrezikun më të madh të varfërisë dhe përjashtimit social

Më shumë se një e treta e popullsisë në Bullgari, Rumani dhe Greqi vitin e kaluar janë përballur me rrezikun e varfërisë ose përjashtimit social. Kjo shkallë është regjistruar në 40 për qind në Bullgari, 38,8 për qind në Rumani dhe 35,6 për qind në Greqi.

Ndërkaq, Çekia është regjistruar si vendi me shkallën më të ulët të rrezikut të varfërisë ose përjashtimit social me 13,3 për qind, kurse pas saj janë radhitur Finlanda me 16,6 për qind, Danimarka me 16,7 për qind dhe Holanda me 16,8 për qind.

Shkalla e personave që jetojnë në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social në Gjermani është regjistruar në 19,7 për qind, në Francë 18,2 për qind, në Itali 28,7 për qind, në Spanjë 27,9 për qind, në Britani 22,2 për qind dhe në Belgjikë 20,7 për qind.

7,5 për qind e popullsisë së BE-së nuk mund t'i plotësojë as nevojat themelore

Nëse tre kriteret e rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social analizohen veç e veç, 17,2 për qind e popullsisë së BE-së ka të ardhura nën nivelin e varfërisë.

Për sa i përket aspektit material, 7,5 për qind e popullsisë së BE-së nuk mund t'i plotësojë madje as nevojat themelore, siç janë pagesa e faturave, ngrohja e shtëpisë dhe shkuarja në pushim javor.

Nga ana tjetër, shkalla e rrezikut të varfërisë ose përjashtimit social, që u rrit pas krizës globale në vitin 2008, së fundmi ka hyrë në një trend zvogëlimi.

Pas rritjeve të njëpasnjëshme në periudhën 2009-2012 dhe arritjes në 25 për qind, shkalla e personave në këtë kategori në BE vitin e kaluar ra në 23,4 për qind, konkretisht 0,1 pikë mbi shkallën e vitit 2009.

© zëri.info