Katalonjë, arrestohen dy liderë që mbështesin pavarësinë

Bota October 17, 2017 - 12:13

Autoritetet spanjolle kanë arrestuar dy liderë të shoqërisë civile në Katalonjë pasi akuzohen për kryengritje. Për këtë ngjarje ka reaguar presidenti i rajonit autonom, Carles Puigdemont i cili tha se janë rikthyer burgosjet politike në Katalonjë.

“Spanja ka burgosur dy liderë të shoqërisë civile të Katalonjës pasi kanë organizuar manifestime paqësore. Për fat të keq janë rikthyer përsëri burgosjet politike”. Në këtë mënyrë presidenti i Katalonjës ka reaguar me anë të një mesazhi në twitter për arrestim e Jordi Sanchez, president i Asamblesë Nacionale të Katalonjës dhe Jordi Cuixart, drejtues i shoqatës kulturore “Omnium”.

Urdhri për arrestimin e dy liderëve separatist është dhënë nga gjykatësja Karmen Lamela. Krerët e dy shoqatave të mëdha pro pavarësisë të shoqërisë civile të Katalonjës akuzohen për kryengritje lidhur me manifestimet në Barcelonë me 20 dhe 21 shtator.