Lideri i Katalonjës i dërgon letër Madridit, s’tregon nëse e ka shpallur pavarësinë

Bota October 16, 2017 - 10:28

Presidenti i rajonit autonom të Spanjës, Katalonjës, Carles Puigdemont, i ka dërguar sot letër qeverisë qendrore në Madrid por nuk e ka qartësuar nëse e ka shpallur pavarësinë e Katalonjës apo jo.

Sot ka qenë dita e fundit e afatit e ultimatumit që Spanja ia dha Puigdemontit për ta qartësuar synimin e tij, duke ia bërë me dije se ndryshe do të përballet me pushtet të drejtpërdrejt nga Spanja, transmeton Express.

Por, lideri katalan ka bërë thirrje për negociata për dy muajt e ardhshëm, në vend se ta qartësojë nëse e ka shpallur pavarësinë apo jo.

Puigdemont e shpalli pavarësinë javën e kaluar pas një referendumi kontrovers, por e suspendoi atë menjëherë për t’i hapur rrugë bisedimeve.

Raportohet se Spanja do ta zgjasë ultimatumin e bërë të enjten e kaluar për Puigdemont që ta ndryshojë mendjen, para se të tentojë ta shtrijë pushtetin e drejtpërdrejt nga Madridi.

Katalonja votoi për pavarësi në referendumin kontrovers të 1 tetorit, të cilin Gjykata Kushtetuese e Spanjës e quajti të jashtëligjshëm.

/Express/