Bota

Zjarri paralizon Kaliforninë, autoritetet: Nuk identifikojmë dot trupat, janë hi dhe eshtra

Zjarri paralizon Kaliforninë, autoritetet: Nuk identifikojmë dot trupat, janë hi dhe eshtra
16 tetor 2017 • 09 : 23

Zjarret vdekjeprurëse vazhdojnë të mbërrthejnë Kalifornine. Të paktën 40 njerëz kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë shpallur të zhdukur. 

Më shumë se 5700 ndërtesa janë shkatërruar.Guvernatori Jerry Brown tha se kjo është një prej tragjedive më të mëdha, me të cilat është përballur ndonjëherë shteti amerikan. 

3.000 persona u evakuan vetëm të shtunën nga Santa Rosa, në rajonin e verërave Sonoma, një ndër më të goditurit.“Shkatërrimi është në nivele të pabesueshme. Është një tmerr përtej çdo imagjinate”, tha Jerry Brown.

Punonjësit e shpëtimit janë duke përdorur qentë me erë për të kërkuar trupa në rrënojat e shtëpive të djegura nga zjarret, në një kohë kur askush nuk ka dëgjuar ende nga pothuajse gjysma e 900 njerëzve të regjistruar zyrtarisht si të zhdukur.

Zyrtarët druhen se identifikimi i viktimave të zjarrit do të jetë i vështirë.“Kemi gjetur trupa që janë pothuajse tërësisht të paprekur, ashtu sikurse kemi zbuluar të tjerë që nuk janë asgjë më shumë sesa hi dhe eshtra. 

Një nga mënyrat që ne bëjmë identifikimin në këto raste është përmes pajisjeve mjekësore”, thonë ata.Deri më tani janë djegur më shumë se 75 mijë hektarë tokë, duke përfshirë disa nga vreshtat e famshme botërore në veri të Kalifornisë.

© zëri.info