Sebastian Kurz shpall fitoren në zgjedhjet e Austrisë

Bota October 15, 2017 - 21:42

Sebastian Kurz, udhëheqësi karizmatik 31 vjeçar i partisë konservatore dhe aktualisht ministër i jashtëm, shpalli fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Austri, që nëse konfirmohet do të bëhet udhëheqësi më i ri të Evropës.

Analistët thonë se ai ka arritur me sukses t’i ndryshojë fizionominë partisë konservatore dhe rigjallërojë të djathtën, përfshirë të djathtët e skajshëm, pas shpërbërjes së koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve.

Rezultatet e reja të anketave nga organizata e sondazheve SORA, tregojnë se social-demokratët që bënë fushatë me temën e nevojës për barazi sociale, dolën në vend të dytë, me një diferencë fare të vogël votash nga Partia e Lirisë e së djathtës së skajshme.

Fushata e zgjedhjeve u mbizotërua nga çështja e imigracionit. Austria, me një popullsi prej më pak se 9 milionësh, priti 90 mijë strehim-kërkues, shumica myslimanë gjatë krizës së migrimit të vitit 2015, duke nxitur mbështetje për politikanët e së djathtës së skajshme që janë në favor të ligjeve më të ashpra mbi emigracionin.

Konservatorët pësuan një goditje në dhjetor 2016 kur Norbert Hofer humbi me një diferencë të ngushtë votash në zgjedhjet e dominuara nga çështja e imigracionit, por në të cilën votuesit zgjodhën një kandidat të Partisë së Gjelbër, Alexander van der Bellen.

Tani, analistët thonë se Partia Popullore Konservatore, e udhëhequr nga zoti Kurz, është e para ne anketa duke lënë pas Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë dhe socialistët.