Hamasi dhe Fatahu, grupet rivale 'bëjnë paqe'

Bota October 12, 2017 - 15:14

Grupi palestinez Hamas thotë se ka arritur një marrëveshje me grupin rival Fatah, duke i dhënë fund kështu një ndarjeje që zgjat prej një dekade.

Hamasi që kontrollon Rripin e Gazës tha se detaje të marrëveshjes do të bëhen të ditura më vonë, ndërsa Fatahu ende nuk ka bërë asnjë deklaratë.

Egjipti ka qenë ndërmjetësues në bisedimet e pajtimit të mbajtura në Kajro. Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor kanë qeverisur të ndarë që kur përleshje vdekjeprurëse shpërthyen mes dy grupeve në 2007.

Qendra palestineze e informacionit pro Hamasit lajmëroi marrëveshjen ndërkohë që një ditë më parë, një zëdhënës i Hamasit tha se bisedimet në Kajro kishin qenë serioze dhe të thella.

Muajin e kaluar, Hamasi ra dakord të shkrinte komitetin e qeveris në Gaza. Lëvizja ishte një kërkesë kryesore e presidentit palestinez Mahmoud Abbas, lëvizja Fatah e të cilit kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor. Kryeministri palestinez, Rami Hamdallah më pas bëri një udhëtim të rrallë në Gaza. Ai tha se autoriteti palestinez do të fillojë të marrë kontrollin e çështjeve administrative të Gazas dhe përgjegjësitë për sigurinë. Hamasi si i tërë, apo në disa raste krahu i tij ushtarak, është përcaktuar si grup terrorist nga Izraeli, SHBA, BE, Britania e Madhe dhe fuqi të tjera./ Top Channel