Bota

Rrëfimi prekës i senatorit McCain për betejën me kancerin

Rrëfimi prekës i senatorit McCain për betejën me kancerin
25 shtator 2017 • 23 : 48

Senatori amerikan, John McCain, ka thënë se mjekët i kanë dhënë atij një "prognozë shumë, shumë serioze", teksa ai po përballet me kancerin në tru.

"Disa thonë 3 për qind, disa thonë 14 për qind", ka thënë McCain në një intervistë për televizionin CBS, teksa ka folur për gjasat e tij për mbijetesë.

McCain i është nënshtruar në korrik një operacioni për heqjen e një tumori në tru, që më pas kishte dalë të ishte një formë e glioblastomës, i njëjti lloj i kancerit që i kishte marrë jetën ish-kolegut të tij në Senat, Edward M. Kennedy, më 2009.

McCain ka treguar se e ka Kennedyn në mendje shpesh. Senatori ka thënë se Kennedy ka vazhduar të punojë, përkundër diagnozës, dhe "nuk është dorëzuar kurrë, për shkak se e donte angazhimin".

Kenney, ka treguar McCain në CBS, "ka mbajtur punën, ka vazhduar të punojë, të ecën përpara, edhe kur ka qenë në karrocë".

McCain, senator republikan nga Arizona, i cili është cilësuar i pavarur për shkak të refuzimit të tij për të votuar për projektligjet e republikanëve për përkujdesjen shëndetësore, po përpiqet të veprojë sikur i ndjeri.

"Jam më energjetik dhe më i angazhuar, si rezultat i kësaj, sepse e di që duhet të bëj gjithçka që mundem për t'i shërbyer këtij vendi, deri sa të mundem", ka thënë McCain, i cili e nis ditën me kimioterapi dhe rrezatim. /Express/

 

© zëri.info