Bota

Pas afro 60 vitesh, nacionalistët hyjnë në Bundestagun gjerman

Pas afro 60 vitesh, nacionalistët hyjnë në Bundestagun gjerman
24 shtator 2017 • 20 : 41

Konservatorët e kancelares Angela Merkel kanë siguruar një mandat të katërt radhazi në pushtet në zgjedhjet që sollën një parti të së djathtës ekstreme për të parën herë në Parlament në më shumë se gjysmë shekulli.

Blloku konservator i Merkelit, Kristian-Demokratët dhe aleatët e tyre bavarezë, Unioni Kristian-Social, morën 32.5 për qind të votave, sipas një exit-polli të transmetuesit publik gjerman, ARD, që e bën atë grupin më të madh parlamentar.

Rivalët e tyre më të afërt, Social Demokratët e qendrës së majtë, morën 20 për qind të votave, rezultat ky më i keqi në periudhën e pas luftës. Duke falënderuar mbështetësit dhe anëtarët e partisë, kandidati i socialdemokratëve, Martin Schulz, tha se rezultati i arritur tregon se partia nuk ka mundur të tërheq bazën ndërkohë që konfirmoi edhe se nuk do të dorëhiqet nga posti i liderit socialdemokrat.

Alternativa për Gjermaninë, formacion ky i ekstremit të djathtë, nacionalist dhe anti-islam, ka tronditur skenën politike duke dalë i treti dhe duke hyrë për të parën herë në parlament me 13.5 për qind të votave.

Lideri i partisë, në një postim në Twiter, shkruante se Gjermania kishte përjetuar një tërmet politik të përmasave gjigande. Ndërsa, të dy gjigandët e politikës gjermane, CDU/CSU dhe SPD, duket se kanë humbur vota krahasuar me 2013, të gjelbrit, e majta, liberalët dhe nacionalistët, kanë fituar dukshëm mbështetje.

Katër partitë më të vogla, janë të gjitha mbi pragun e pesë përqindëshit që garanton hyrjen në Bundestag, çka bën që për të parën herë do të ketë gjashtë parti në parlamentin gjerman.

Merkel, liderja më jetëgjatë në detyrë në Evropë, duhet tani të formojë një qeveri koalicioni, një proces ky i vështirë, që mund të kërkojë muaj të tërë kohë pasi të gjithë partnerët e mundshëm, nuk janë të sigurt nëse duan të ndajnë pushtetin me të.

Social-Demokratët e Martin Schulzit, aktualisht janë partnerët më të vegjël në koalicionin e Merkelit, por përsëritja e këtij skenari, të paktën deri më tani, është përjashtuar. /Top Channel/

 

© zëri.info